Ish-ministrja e afërt me Samir Manen, merret në pyetje nga SPAK
Ish-ministrja e Bujqësisë Frida Krifca ka dhënë dëshmi për disa orë të martën e 17 marsit në SPAK, për dosjen që po hetohet nga prokurori Klodian Braho mbi abuzimet me fondet e programit të IPARD.
Krifca është pyetur si person në dijeni teksa SPAK, ka intensifikuar hetimet për këtë dosje.
Më herët Reni Ashiku, një nga bashkëpunëtorët më të afërt të ish-ministres Krifca, u paraqit në Prokurorinë e Posaçme për t’u marrë në pyetje.
Burime pranë organit hetues bëjnë me dije se kjo është një dosje që po hetohet me prioritet dhe paralelisht me marrjen e dëshmive po mblidhen edhe prova të tjera rreth skamës së dyshuar abuzive.
Krifca, e njohur për deklaratën se do ngrinte një Akademi për barinjtë, është një lidhje e ngushtë e oligarkut Samir Mane.
“SPAK ka konfirmuar zyrtarisht se ka regjistruar procedim penal për oligarkun Samir Mane, ish-ministren e Bujqësisë Frida Krifca dje dhe një dyzinë drejtorësh në disa qytete të vendit. Aktualisht cështja ndodhet në fazën e hetimeve paraprake, por pa dhënë detaje për emra konkretë apo datën e regjistrimit, për shkak të sekretit hetimor.
Sipas informacionit të SPAK, këta kanë ndikuar drejtpërdrejt mbi shpërndarjen e mbi 80 milion eurove fonde europiane, duke i drejtuar sipas interesave të tyre personale.
Samir Mane është akuzuar se ka përdorur rrjetin e Frida Krifcës për të kontrolluar fondet IPARD dhe për t’i shpërndarë aty ku dëshironte ai, duke përjashtuar fermerët që kishin nevojë reale. Frida Krifca, në rolin e saj institucional, nuk ka bërë asgjë për të parandaluar këtë keqpërdorim, duke u kthyer kështu në pjesë aktive të një skeme që ka dëmtuar rëndë sektorin bujqësor”, deklaronte pak javë më parë gazetari Almer Toska.