Irani përgjigjet me sulm raketash balistike drejt Izraelit
Iran ka nisur sulme me raketa balistike drejt Izraelit, duke aktivizuar sirenat e alarmit ajror në të gjithë vendin. Autoritetet po bëjnë thirrje urgjente që qytetarët të strehohen në bunkerë dhe vendstrehime të sigurta, ndërsa tensionet në rajon arrijnë një pikë kritike.
Ministria e Shëndetësisë së Izraelit ka shpallur nivelin më të lartë të gatishmërisë. Disa nga spitalet më të mëdha, përfshirë Sourasky Medical Center në Tel Aviv, kanë kaluar në operacione tërësisht të mbrojtura nëntokësore, duke transferuar pacientët dhe repartet në zona fortifikuara.
“Njësitë sensitive tashmë po operojnë në hapësira të mbrojtura,” tha spitali.
Masat e tjera emergjente përfshijnë:
-Aktivizimin e sirenave të alarmit në të gjithë vendin dhe këshillimin e qytetarëve për të shmangur lëvizjet e panevojshme.
-Spitalet kryesore të qyteteve të mëdha, si Tel Aviv dhe Jerusalem, kanë nisur shpërndarjen e personelit dhe pajisjeve kritike në ambiente të sigurta.
-Autoritetet ushtarake po monitorojnë raketat e lëshuara dhe janë në gatishmëri për përgjigje të shpejtë.
Ky sulm vjen në një kohë kur tensionet mes Izraelit dhe Iranit janë përshkallëzuar pas operacioneve të përbashkëta ushtarake të Izraelit dhe SHBA-ve kundër objektivave iraniane, duke përfshirë bazat raketore dhe facilitetet bërthamore.
E përditshmja amerikane The New York Times raporton se operacioni i përbashkët ushtarak kundër Irani po zhvillohet me një ndarje të qartë objektivash mes Izraelit dhe Shteteve të Bashkuara.
Sipas raportimit, Izraeli pritet të përqendrojë goditjet te depot e raketave, objektet e prodhimit dhe platformat e lëshimit, me synim dobësimin e kapaciteteve balistike të Iranit.
Ndërkohë, Shtetet e Bashkuara pritet të fokusohen kryesisht te projekti bërthamor iranian, si dhe në objektiva të lidhura me trupat e Gardës Revolucionare Islamike dhe strukturat qeveritare.
Presidenti amerikan Donald Trump ka thënë se SHBA-të kanë nisur “operacione të mëdha luftarake” në Iran në një video të postuar në Truth Social.
Trump ka postuar një video 8-minutëshe në platformën e tij të mediave sociale, teksa konfirmon se SHBA-të ishin të përfshira në sulmin ndaj Iranit.
“Ne kërkuam vazhdimisht të bënim një marrëveshje. Ne u përpoqëm”, shton ai.
Ai shton se “ne do t’i shkatërrojmë raketat e tyre dhe do ta rrafshojmë industrinë e tyre të raketave. Ajo do të jetë plotësisht…e zhdukur.”
Trump po ashtu i thotë Gardës Revolucionare Islamike të Iranit të dorëzojë armët, duke thënë se ata do të trajtohen në mënyrë të drejtë me imunitet të plotë – ose do të përballen me vdekje të sigurt.
Albanian Post ka raportuar më herët se SHBA-të u koordinuan me Izraelin për sulmin ndaj Iranit, sipas raportimeve të mediave izraelite dhe amerikane.
CNN ka raportuar se sulmi i Izraelit ishte i koordinuar me SHBA-të, dhe Ynet News i Izraelit ka raportuar të njëjtën gjë.