28 Mars, 2026

Injoranca dhe arroganca e Ramës, që rrezikon zhbërjen e shtetit

 Injoranca dhe arroganca e Ramës, që rrezikon zhbërjen e shtetit

Nga Fitim Zekthi

Gjykata Kushtetuese nuk e pranoi kërkesën e kryeministrit për të rrëzuar pezullimin e zëvendëskryeministres Balluku, gjë që do të thotë se, me pemën e sotme legjislative të vendit tonë dhe sidomos me Kushtetutën tonë, pezullimi i një ministri është i lejuar.

Kryeministri, për të mbrojtur qëndrimin dhe sjelljen e tij, po e anashkalon Gjykatën Kushtetuese duke ndryshuar ligjin për procedurën penale. Ai mendon se kaq mjafton që pezullimi i ministrit nga një vendim gjykate të jetë i palejueshëm.

Së pari, ai tregon padije të thellë për natyrën e legjislacionit dhe të Kushtetutës. Ai mendon se po të ndryshojë nenet e ligjit për procedurën penale që flasin për pezullimin nga detyra me vendim gjykate, ka ndryshuar të gjithë pemën legjislative, të gjithë Kushtetutën dhe frymën e saj që rregullojnë jetën dhe funksionet e institucioneve dhe të pushteteve. Nuk është kurrsesi kështu.

Së dyti, ai tregon se mund t’i arrijë qëllimet e veta, kur Gjykata Kushtetuese e pengon, duke ndryshuar ligjet. Ligjet nuk ndryshohen dhe nuk lejohet të ndryshohen për të tejkaluar Kushtetutën apo vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Është e palejueshme.

Nga ana tjetër, kryeministri tregoi edhe një anë shumë të keqe sa i takon mënyrës se si ai e kupton ligjin, të drejtën dhe Kushtetutën. Ai tha se “ka 3 pushtete të pavarura, përveç gjyqësorit është edhe ekzekutivi dhe legjislativi. Ne jemi të pavarur në të drejtën tonë për të marrë vendime, janë vendime sovrane dhe s’ka prokuror dhe gjykatës që t’i vërë në diskutim!”

Në fakt, kjo është shumë e rëndë, është mendësi komplet totalitare. Vërtet qeveria dhe parlamenti, ekzekutivi dhe legjislativi, janë të pavarur, por vendimet e tyre janë objekt gjykimi dhe rrëzimi madje nga gjyqësori dhe veçanërisht nga Gjykata Kushtetuese.

Gjykata Kushtetuese ka të drejtë të rrëzojë çdo vendim të qeverisë dhe parlamentit nëse ato janë antikushtetuese. Nëse atyre nuk u njihet kjo e drejtë, atëherë sistemi është një autokraci e pastër dhe çdo liri është krejtësisht e kërcënuar dhe e shkatërrueshme.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *