28 Mars, 2026

Historia e hajdutit ‘të ndershëm’ në autobus!

 Historia e hajdutit ‘të ndershëm’ në autobus!

Nga Aranit Muraçi

Historia e hajdutit ‘të ndershëm’ mund të ketë ndodhur në Afrikë, apo në ndonjë kontinent tjetër. Mund të jetë një histori e zakonshme dhe si e tillë mund të ketë ndodhur brenda autobusit tonë ku qarkullojnë shumë hajdutë. Por më tepër sesa vendi, koha dhe profesioni vlen historia e ‘nderit’ të tij.

Një mësues mori rrogën dhe pas mësimit i hipi autobusit ashtu si çdo ditë tjetër të zakonshme për t’u kthyer në shtëpi. Një hajdut profesionist e diktoi dhe pa u ndjerë, sapo mësuesi hipi në autobusin e ngjeshur me pasagjerë, ia vodhi të gjitha paratë.

Kur afrohet faturinoja i kërkon lekët e biletës dhe mësuesi në atë moment fut dorën në xhep por kupton se nuk i kishte paratë. U prek nga turpi dhe u skuq. “E mban veten edhe për njeri të ndershëm,” i kthehet faturinoja. “Thoje të paktën nuk i kam paratë që kur hipe në autobus.”

Pas fjalëve të faturinos dhe momentit të sikletshëm për mësuesin ndërhyn hajduti. “Zotëri, do t’ia paguaj unë biletën!”

Mësuesi naiv dhe pa intuitë që të dilte nga situata, po ashtu pa e ditur se me cilin kishte të bënte, në vend që të kishte denoncuar vjedhjen për të kapur hajdutin, e falendëron atë. “Zoti ta shpërbleftë dhe të shumofshin paratë, – i tha ai hajdutit.

Shumë pasagjerë bënë të njëjtën gjë, e përgëzuan hajdutin për gjestin, vlerësuan “mirësinë” e tij dhe u lutën që Zoti ta bekonte.

“Njerëz të tillë i duhen vendit”, – thoshte njëri.

Tjetri ia priste: “Edhe Kuvendit! Politika në veçanti ka nevojë për njerëz të mirë, bujarë e të ndershëm.”

“Sikur arsimin ta drejtonin të tillë njerëz do të kishim sot sistemin më të përsosur në botë” – u ankua një pedagog, i cili tha se ishte diplomuar me dhjeta në universitet por me zor kishte zënë punë në shtet. “Të tillë njerëz duhet të hartojnë ligjet e arsimit të lartë dhe të ndërtojnë rrugët e karrierës. Pa qenë asnjë ditë në gjimnaz – pagova vërtet për të marrë dhjetë – por u tregova aq i zoti saqë i mbarova njëkohësisht ekonomikun dhe juridikun. Nuk njoh vërtet rregullat elementarë të gjuhës shqipe, por kam mbrojtur tri gjuhë të huaja. Sot në vend që të isha ambasador, deputet, ministër, nuk më dhanë të drejtën të bëja karrierë as aty ku vendi kishte më shumë nevojë si për prokurorë, gjyqtarë, ose të paktën të më pranonin shkencëtar.”

“Pse drejtësia me njerëz të tillë nuk do të ishte më e mirë,” tha një avokat. “As 20 për qind nuk më mbetet në xhep kur më duhet të paguaj gjyqtarë e prokurorë për të drejtën e qytetarëve.”

Një anal-ist i gjithanshëm dhe i kudondodhur, me profesion fillestar ‘bojaxhi’, i dekoruar para se të bëhej gazetar në testet laboratorike të partive politike, u zotua se gjestin “fisnik” të hajdutit do të përmendte në të gjitha studiot televizive ku do të ishte i ftuar, derisa nami i tij të përhapet me shpejtësi e të bëhet i njohur nga jugu në veri. Ai me krenari shtoi se është rast ideal që të denoncojë çdo ‘pseudo-gazetar’ që nuk është i zoti si ai, mes të tjerëve, në veçanti autorin e paaftë i cili po shkruan këto radhë.

Përtej diskutimeve që vijuan, ne jemi dëshmitarë dhe fakt është sesi para syve tanë hajdutët shtohen vazhdimisht brenda autobusit me të cilin udhëtojmë bashkërisht dhe po ashtu marrin pambarimisht falënderime dhe vlerësimin tonë.

Hajduti u ofrua që të ndihmonte mësuesin jo sepse  ndjeu keqardhje apo e vrau ndërgjegja, por për të larguar dyshimet nga vetja, si dhe për të fituar me paratë e vjedhura besimin dhe respektin e pasagjerëve të tjerë në autobus.

Është kjo metafora e vendeve që refuzojnë të ndërtojnë mekanizma efikasë për të gjurmuar dhe ndëshkuar hajdutin. Në vend të kësaj e bekojnë atë! E lartësojnë, e nderojnë! Dhe, ne vazhdojmë të udhëtojmë së bashku në të njëjtin autobus pa u ndalur, duke i bërë jehonë ‘cilësive’ të hajdutit e duke u tallur me varfërinë e mësuesit.

Natyra e pangopësisë, në rastin e pandëshkueshmërisë, do t’i japë mundësi hajdutit të grabisë me radhë të gjithë pasagjerët në autobusin tonë. Do të investohet prej tij me paratë e vjedhura që t’i ngatërrojë dhe t’i nxisë pasagjerët të fajësojnë njëri-tjetrin, për mungesën e parave në xhepin e tyre.

Është detyrë e njerëzve të mençur dhe intelektualëve të ndershëm për të mos u dekurajuar nga hajduti. Përkundrazi, përmes zërit të tyre dhe pavarësisht kostove, hajduti sado i ‘ndershëm’ qoftë duhet të identifikohet, të veçohet e të ndëshkohet, derisa të dekurajohet.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *