Hajdutët majtas e djathtas, qenkan revoltuar se Marta Kos u ka fyer kombin
Nga Ergys Mërtiri
Politikanë që e kanë vjedhur dhe sakatuar këtë vend për 35 vjet kanë shpërthyer këto ditë në indinjatë për shkak se Marta Kos u paska fyer kombin.
Çfarë paskësh thënë znj. Kos?
Pasi lavdëroi SPAK-un dhe tërhoqi vëmendjen për mbrojtjen që qeveria po i bën Ballukut, ajo paska shtuar se korrupsioni është edhe çështje mendësie, dhe lufta kundër tij kërkon ndryshime në mentalitet.
Të prekur thellë në ndjeshmërinë e tyre kombëtare, Berisha dhe tufa e tij u turrën menjëherë të indinjuar duke e akuzouar komisioneren për zgjerimin se paska ofenduar rëndë shqiptarët. Korit të këtyre “patriotëve” iu bashkuan edhe analistë pro qeverisë, të cilët nxorrën pushkët për ti dalë zot vendit nga fyerjet e Komisioneres për Zgjerimin. Me batare akuzash e ironish banale ku, asociuar me mbiemrin gastro-sugjestiv të komisioneres, nuk lanë produkt ushqimor pa tundur në dybekun e bulmetit retorik të komentariatit rural shqiptar, kundër fyerjeve të pretenduara.
Mesa duket mendësia antikorruptive e shqiptarit pranon që këtë vend ta vjedhin e degradojnë çdo ditë, por nuk pranon kurrsesi që një i huaj të na e vërë këtë në dukje, edhe në qoftë ky Komisioneri i BE-së për zgjerimin, i cili përgjigjet drejtpërdrejt për standardet që ne duhet të plotësojmë për tu bërë pjesë e BE-së ku, natyrisht ndër më kryesoret është edhe lufta kundër korrupsionit.
Ironia më e thellë këtu është se opozita, në vend që ta shfrytëzonte fjalën e znj. Kos për çështjen e Ballukut, gjeti ku të kapet për të delegjitimuar fjalën e saj. Në fakt, opozita na tregoi edhe këtu se, nuk ka aspak në fokus rrëzimin e qeverisë. Problemi për të ishte se nj. Kos lavdëroi dhe ngriti në qiell punën e SPAK-ut, armikut të vërtetë të Sali Berishës, ndaj dhe ajo duhej delegjitimuar doemos, pavarësisht se po godiste Ramën për mbrojtjen që po i bën Ballukut. Halli i opozitës quhet SPAK jo Edi Rama.
Ajo çfarë Komisioneria Kos tha, nuk ka të bëjë me ndonjë sulm kundër kulturës shqiptare. Ajo nuk foli për korrupsion kulturor, si ndonjë tipar etnik apo kombëtar i shqiptarit, por për një mentalitet që toleron shtrirjen e korrupsionit, cfarë, sipas saj është një fenomen i përhapur kudo në Ballkanin Perëndimor. Dhe të vetmit sedërlinj në këto vende, dolën pikërisht mbështetësit e politikanëve shqiptarë, që mund ta themi pa frikë se janë më të pasurit në rajon!
Në fakt, Shqipërinë e fyejnë çdo ditë politikanë si Rama e Berisha që e kanë ngritur korrupsionin në një sistem. Sedra e tyre namuzqare është thjesht dhe vetëm një vello e shëmtuar hipokrizie mbi realitetin e hidhur që ata kanë krijuar në këtë vend për vite me rradhë. Dhe e keqja është se, jo vetëm e kanë krijuar këtë situatë, por nuk pranojnë as të largohen për ti hapur rrugë ndryshimeve që po tentohen nga përtej detit.