28 Mars, 2026

Gjithë familja u shua në Itali, shqiptarët mbledhin mbi 75 mijë euro për dy ditë për funeralin e familjes Kola

 Gjithë familja u shua në Itali, shqiptarët mbledhin mbi 75 mijë euro për dy ditë për funeralin e familjes Kola

Pas tragjedisë që ndodhi javën e kaluar në Itali, ku familje shqiptare Kola me katër anëtarë u shua pas helmimit nga monoksidi i karbonit, i shkaktuar nga një kaldajë gazi e instaluar në banesë, shqiptarët kanë mbledhur rreth 75 mijë euro për të mbuluar transportimin e trupave dhe organizimin e funeralit në Shqipëri.

Thirrja për ndihmë u publikua në platformën GoFundMe, nga vëllai i Arti Kolës, Durim Kola.

“Jam Durim Kola. Po mbledh fonde për familjen e vëllait tim: ata humbën jetën në një aksident të shkaktuar nga kaldaja e gazit në Porcari, në provincën e Luccas. Fondet do të shërbejnë për shpenzimet e funeralit dhe për transportimin e trupave në Shqipëri, ku do të zhvillohen edhe ceremonitë mortore. Pjesa e mbetur e fondeve do të përdoret për të ndihmuar familjet e tyre. Ju falënderoj nga zemra për ndihmën…”, shkruhet në GoFundMe.

Dhe përgjigjja ndaj kësaj thirrjeje ka qenë vërtet prekëse. Ka nga ata që kanë dhuruar 50 euro, 100 apo edhe 500 euro. Disa me emër, disa të tjerë preferojnë të mbeten anonimë. Brenda vetëm dy ditësh janë mbledhur mbi 75 mijë euro, falë kontributit të qindra njerëzve.

Tragjedia ndodhi në qytetin Porcari, në provincën e Luccas, ku katër anëtarët e së njëjtës familje u gjetën të pajetë në banesën e tyre, pasi ishin helmuar nga monoksidi i karbonit.

Viktimat janë Arti Kola, 48 vjeç, bashkëshortja e tij Jonida, 43 vjeçe, djali 22-vjeçar Hajdar dhe vajza 15-vjeçare Xhesika. Sipas autoriteteve italiane, monoksidi i karbonit, një gaz jashtëzakonisht i rrezikshëm dhe pa erë, është çliruar nga kaldaja e gazit, duke rezultuar fatal për të gjithë anëtarët e familjes.

Djali i familjes kishte kërkuar ndihmë për motrën e tij, e cila ishte ndjerë e para keq. Megjithatë, për shkak se familja ishte shpërngulur së fundmi dhe ndoshta edhe ngaqë ishte nën efektin e monoksidit, adresa që ai u kishte dhënë ekipit të emergjencave kishte pasur një gabim, duke vonuar ndërhyrjen e ambulancës.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *