Gazetarja: Nuk do punoja kurrë për Carlo Bollinon, dhe sikur të shisja rroba
Gazetarja Ambrozia Meta ka reaguar pas pushimit nga puna të Ilir Babaramos nga Carlo Bollino, pse kishte folur kundër Qeverisë.
“Kur isha në vit të tretë të fakultetit, për shkak se ndiqja atelienë e shtypit të shkruar, pedagogu i diplomës më ofroi një praktikë 3-mujore pranë gazetës Shqiptarja.com.
Një pasdite, botuesi i gazetës hyri në redaksi dhe i përplasi me forcë gazetat e asaj dite mbi tavolinën e një gazetareje dhe pastaj, me fyerje e epitete, iu turr kryeredaktorit duke i bërtitur, sepse nuk i kishte dhënë hapësirën e duhur një lajmi që mediat e tjera e kishin trajtuar gjerësisht.
Kur u largua, duke tërsëllitur me shqipen e tij të çalë, kolegia që ishte në krahun tim ngriti gazetat që ai i kishte hedhur me përçmim dhe pa syzet e saj të thyera.
Ishte momenti kur u betova që nuk do të punoja kurrë me atë botues, edhe sikur të lija përgjithmonë gazetarinë dhe të shisja rroba online.
M’u kujtua ky episod sot, kur pashë që i njëjti botues kishte bërë një kronikë shoqëruese për heqjen nga puna të një gazetari, duke argumentuar me sinkrone dhe efekte arsyet se përse e shkarkoi, për të thënë se ndonjëherë nuk është vetëm çështje e lirisë së medias, është mentaliteti me të cilin disa pronarë mediash mendojnë se të mbajnë shpirtin gjallë, mendojnë se kanë fatin tënd në dorë.
Të mjerë! Ju nuk keni asnjë imazh për të mbrojtur”, shkruan Ambrozia Meta.