Fytyra që Korça nuk e sheh
Nga Xhensil Shkëmbi
Në mes të zhurmës së qytetit, pranë një fugoni që shërben si fast-food, ku tymi ngrihet i nxehtë dhe njerëzit presin radhën për dy kërnace e pak qepë, ajo rri e ulur në heshtje.
Një shall i trashë i mbështjell kokën, si për ta mbrojtur nga i ftohti apo nga bota.
Sytë i ka të lodhur. Jo nga dita. Nga vitet.
Në ballë duken shenjat e kohës, jo vetëm rrudhat. Janë si gjurmë betejash të vogla, të përditshme. Beteja që nuk bëhen lajm. Që nuk hapin edicione informative. Por që lënë plagë.
Ajo dredh një cigare me lëvizje të mësuara. Duart i ka të forta, të ashpra, si të dikujt që ka punuar shumë. Ndoshta tokën. Ndoshta shtëpinë. Ndoshta jetën.
Pas saj, qyteti vazhdon normalisht. Të rinjtë qeshin. Dikush porosit. Dikush nxiton.
Korça ecën përpara.
Por fytyra e saj duket sikur ka mbetur diku pas.
Në atë shikim ka diçka më shumë se varfëri. Ka lodhje. Ka dorëzim të përkohshëm. Ka një histori që askush nuk e ka dëgjuar.
Ajo është një profil i panjohur.
Një nga qindra që kalojmë çdo ditë pa i parë vërtet.
Në vitin 2026, në një qytet që flet për zhvillim, modernizim dhe turizëm, ka ende fytyra që mbajnë brenda tyre një Korçë tjetër, atë të heshturën.
Dhe ndoshta pyetja nuk është kush është ajo.
Pyetja është:
A e shohim?
Profil i panjohur – Korçë, 2026!