Fytyra e gazetarisë shqiptare (por Policia kap peshqit e vegjël)
Policia e Tiranës ka vënë në pranga gazetarin Elio Laze. Mësohet se Laze është arrestuar pasi akuzohet për gjobëvënie.
Denoncimi në polici është bërë nga Klaus Shaqiri, një zyrtar i shëndetit publik, të cilit gazetari Laze i kishte kërkuar 20 mijë euro.
Përmes artikujve të ndryshme në portalin e tij Priza.al Elio Laze e kanoste zyrtarin duke i vënë ‘gjoba’.
Zyrtari Klaus Shaqiri ka bashkëpunuar me autoritetet dhe në momentin e arrestimit, Elio Lazes i është sekuestruar një shumë prej 5 mijë eurosh.
Nga hetimet e kryera nga përmes veprimeve proaktive nga prokuroria e Tiranës të drejtuara nga prokurori Asllan Bajramaj, u bë e mundur arrestimi i Lazes, i cili akuzohet për “Shtrëngim me anë të kanosjes për dhënie pasurie”.
Gjobvënia në media
Gjobvënia në media tashmë është prej vitesh në “modë”. Vetëm se këta si Elio Laze janë peshq të vegjël.
Mediat e mëdha dhe gazetarët e analistët “VIP”, paguhen prej vitesh nga politika.
Gjobat e tyre janë më të sofistifikuara se Laze dhe edhe pse bëhen hapur, askush nuk merret me ta.
Thjesht e dinë të gjithë, të paktën në media, kush paguan kë dhe pse.
Madje shpesh edhe publikisht, pasi nis që nga mediat kombëtare, që nuk e kanë problem të vënë gjoba të maskuara si “lajme”.
Ndaj mirë bëjnë që arrestojnë Elion, por duhen parë dhe të tjerët.
Se ka dhe gazetarë, nga ata që dalin çdo natë në TV, që paguhen nga vrasës, siç doli nga hetimet e SPAK.