Frikë për një infarkt live në emision, Rudina Xhunga tregon ngjarjen: U tremba shumë
Gazetarja e njohur Rudina Xhunga ishte e ftuar pasditen e djeshme në emisionin “Rudina”, ku foli hapur për episodin e papritur që përjetoi disa javë më parë gjatë transmetimit live të emisionit. Së bashku me mjeken Edlira Rehovica, ajo ndau detaje nga ajo që ndodhi, si dhe reflektime mbi jetën dhe ritmin e saj të punës.
Ngjarja ndodhi më 5 mars, gjatë një bisede në studio mbi rolin e gruas në shoqërinë shqiptare. Xhunga tregoi se shenjat e para i kishte ndjerë pak para hyrjes në studio, por kishte vendosur të merrte pjesë gjithsesi.
“Frika ishte te zemra, unë ndjeja aritmi dhe pasi mi bënë të gjitha dhe kontrolle të tjera më pas u mësua që ishte një lloj atak paniku, që unë nuk e kisha pasur më përpara, ishte hera e parë”, u shpreh ajo.
Pas daljes nga studio, ajo u shoqërua nga mjekja Rehovica për të kryer analizat dhe kontrollet e nevojshme, duke marrë menjëherë ndihmën e duhur.
Gazetarja zbuloi gjithashtu se kishte diskutuar për përdorimin e suplementeve për të menaxhuar situata të tilla, por nuk ishte shumë dakord me këtë ide.
“Unë kam qenë te kamomili deri tani”, tha ajo me humor.
Megjithatë, ajo pranoi se episodi i ankthit ishte rikthyer edhe një herë pas kthimit në rutinën intensive të punës, duke e trembur realisht dhe duke e bërë të reflektojë.
“Unë nuk e kuptoj dot shprehjen të punosh më pak, por mbase duhet të punoj në mënyrë më të zgjuar, jo më pak”, u shpreh Xhunga.
Ky moment duket se ka shërbyer si një sinjal për gazetaren, për të rishikuar stilin e saj të jetesës dhe për të gjetur një ekuilibër më të shëndetshëm mes punës dhe mirëqenies personale.