Fevziu, si xha Saniu
Nga Agim Xhafka
Sa herë pa dashje telekomanda më çon te “Opinioni” i Fevziut më vjen ndër mend xha Saniu i fshatit Velçan në Korçë. Aty ku për disa vjet punova si mësues.
Xha Saniu qe pa flokë, si Fevziu sot. Ishte roje magazine e kishte një kasolle ku mblidhte mbasditeve njerëz plot.
Si Fevziu në studion e tij. Dhe llafosnin pa pushim, por me rradhë se nuk i linte xha Saniu të kërlesheshin me britma.
Dhe Fevziu njësoj. U bërtet kush nuk ndjek dirigjimin e tij. Te xha Saniu temat ishin nga fshati dhe bota.
Si tek Fevziu që ndonjë ditë do të shtjellojë problemet që shfaqen në hekurosjen e pantallonave. Edhe xha Saniu ashtu bënte.
Një ditë shtroi për debat një ngjarje që e kishte parë në ëndërr. Te Mali i Kërrabës ishin gjetur gjallë disa italianë të luftës së 1943. Gjallë paçka pas 72 vitesh. Patën jetuar me biskota dhe një curril ujë që rridhte atje.
Edhe Fevziu sajon plot ngjarje të tilla. Ata që fton i binden se ndryshe të harrojnë kasollen, më falni, studion. Nuk i thërret prapë.
Xha Saniu nuk rron më. Po humbja e tij nuk ndjehet. Se kemi gjallë Fevziun. Që na i bën të gjallë xha Saniun.