28 Mars, 2026

“Familja” mafioze socialiste, që sfidon drejtësinë

 “Familja” mafioze socialiste, që sfidon drejtësinë

Nga Blendi Kajsiu

Grupi parlamentar i Partisë Socialiste nën udhëheqjen e liderit Rama rrëzoi kërkesën e SPAK-ut për heqjen e imunitetit të deputetes Balluku, pjesë e këtij grupi. Për të realizar këtë detyrë të sikletëshme për ta, të dëmshme për shtetin dhe të shëmtuar për opinionin publik, u transformuan në trupën më të çuditëshme gjygjësore që mund të hasë llogjika njerëzore. Është një trupë që gjykon akuzat që i bëhen po vetë asaj.

Për të kuptuar absurditetin llogjik të vendimit të grupit parlamentar të PS-së imagjinoni për një moment sikur një familje e thjeshtë, dhe jo një familje politike e fuqishme si PS-ja, të përballej me një kërkesë nga SPAK për lejimin e arrestimit të një anëtari të saj që po hetohet për shkelje të ligjit.

Familja në fjalë mblidhet, prindër, fëmijë, vëllezër, xhaxhallarë, halla, teze, dajallarë, e kushërinj, bëhen gjithsej rreth 80 e ca veta. Ata shqyrtojnë kërkesën e SPAK dhe unanimisht, pa asnjë mendim ndryshe, e hedhin poshtë atë. A do mendonte dikush se u dha një vendim i drejtë dhe objektiv në këtë rast?

Pikërisht kjo ndodhi me grupin parlamentar të PS-së në rastin Balluku. Ata morën atributet e gjykatës në një rast ku qartësisht janë palë. Në vend që të merreshin me procedurën dhe formën e kërkesës së SPAK-ut ata filluan të vlerësonin përmbajtjen e saj, një punë që në fakt e bën gjykata dhe jo parlamenti.

Kështu deputetët morën përsipër rolin e gjykatës, për të vlerësuar llojin e veprës penale me të cilën përballej Balluku, peshën e akuzave ndaj saj apo edhe rrezikun e prishjes së provave.

Nuk dua të paragjykoj argumentet e deputetëve socialistë të prezantuara nga ish- ministri i Drejtësisë Ulsi Manja, që paraqiti një sërë arësyesh juridike se përse Balluku nuk duhet arrestuar për veprën penale në fjalë, apo se përse dëshmitarët nuk janë intimiduar mjaftueshëm. Me siguri zoti Manja ka shumë të drejtë në të gjitha argumentet e tij si një jursit i nivelit të lartë që i njohu shumë, edhe pse i rregulloi pak, problemet e drejtësisë sonë.

Problemi që shtrohet si në rastin e zotit Manja ashtu edhe të deputetëve të tjerë nuk është tek ajo që thonë, por tek pozicioni nga i cili i artikulojnë argumentet e tyre. A flasin si avokatë apo gjykatës në rastin e zonjës Balluku? Sepse është absurde ti ushtrosh njëkohësisht këto dy funksione.

Kjo është pikërisht ajo që ndodhi në grupin parlamentar të PS-së. Nga njëra anë ky grup dhe shefi i madh i tij ishin rrjeshtuar prej kohësh përkrah Ballukut dhe përballë SPAK-ut si avokat politikë të saj. Nga ana tjetër në rolin e tyre si deputetë ata bën gjykimin e masës së sigurisë ndaj saj prej SPAK duke marrë përsipër rolin e gjykatësit. Ky është paradoksi i vendim-marrjes socialiste që e bën rrëzimin e kërkesës së SPAK krejtësisht qesharake dhe të pabesueshme për opinionin publik.

Nuk është rastësi që masa si arresti shtëpiak apo paraburgimi vlerësohen nga gjykata dhe jo nga parlamenti, aq më tepër kur ekziston një konflikt i qartë interesi. Roli i Parlamentit në këtë rast duhet të ishte formal dhe jo një pengesë ndaj drejtësisë. Pikërisht ashtu sikurse deklaronte kryeministri Rama dje, kur me të drejtë pretendonte se parlamenti nuk mund të vendosë se kë dhe si do hetojë drejtësia.

Aspektet konkrete të një çështje siç janë proporcionaliteti mes masës së kërkuar në raport me veprën penale, apo rrezikshmëria që përbën i akuzuar për procesin hetimor janë cështje që debatohen në dyert e gjykatës dhe jo të parlamentit. Parlamenti duhet thjesha të verifikojë formalisht kërkesën që vjen nga drejtësia, ekzistencën e një procesi hetimor real apo të një akuze konkrete dhe ti hapë rrugën drejtësisë.

Ama kurrësesi ai nuk mund të kthehet në avokat të deputetit që vlerëson masën e arrestit, peshën e provave, apo rreziqet që paraqet i pandehuri në procesin hetimor. Ky është tagri dhe territori i sistemit të drejtësisë. Për këtë qëllim ekzistojnë gjykatat si dhe avokatët e të pandehurit.

Përndryshe një grup paralamentar tjetërson rolin e tij politik duke u transformuar në një zyrë avokatie, apo mburojë politike përballë sistemit të drejtësisë. Kjo ishte në fakt ajo që ndodhi në rastin Balluku, pavarësisht argumenteve jurdidike të Ulsi Manjas, që humbasin cdo vlerë kur artikulohen vetëm me urdhërin politik të Edi Ramës.

Ndonëse prej kohësh kryeministri Rama kish deklaruar se PS-ja nuk do bëhej mburojë për asnjë zyrtar të saj përballë drejtësisë, në rastin Balluku PS-ja u kthye në zyrë avokatie juridike dhe publike përballë SPAK-ut. Ishte e dhimbëshme të shikoje se si deputetët e PS-së të rrjeshtuar kokëulur pas një kryetari të sikletosur i dhanë një dorë Ballukut dhe një grusht në surrat koherencës së tyre politike, sistemit të drejtësisë dhe opinionit publik.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *