Errësirë në qytetin e dritës, kriza energjetike gjunjëzon Kubën mes tensioneve gjeopolitike
Era e squfurit është mbytëse në këtë qytet bregdetar, i njohur për prodhimin e naftës dhe si shtëpia e njërit prej termocentraleve më të mëdha të Kubës. Por ironikisht, ndërsa tymi del sërish nga oxhakët e uzinës “Antonio Guiteras”, banorët mbeten në errësirë, të rrethuar nga burime energjie që nuk mund t’i përdorin.
Ky realitet i zymtë vjen në një kohë kur tensionet midis Kubës dhe Shteteve të Bashkuara janë thelluar ndjeshëm. Pas operacioneve ushtarake amerikane në Venezuelë dhe ndërprerjes së dërgesave të naftës nga ky aleat kyç, Santa Cruz del Norte është kthyer në pasqyrën e një krize që ka mbërthyer të gjithë ishullin.
Banorët e këtij qyteti në lindje të Havanës zhyten në errësirë çdo ditë. Mungesa e energjisë i ka detyruar ata të kthehen pas në kohë, duke gatuar me qymyr dhe dru zjarri. Por edhe kjo mënyrë mbijetese po bëhet e papërballueshme për shumëkënd.
Sakrifica për mbijetesë
Kenia Montoya, një banore vendase, tregon dëshpërimin e përditshëm. Së fundmi, ajo u detyrua të shkulte derën prej druri të banjës në shtëpinë e saj të rrënuar, për ta përdorur si dru zjarri që të gatuante për fëmijët.
“Gjërat po përkeqësohen për ne tani,” thotë ajo. “Nuk na furnizojnë me naftë. Nuk na furnizojnë me ushqim. Ku na lë kjo atëherë?”
Në vend të derës, tani varet një çarçaf i zbehtë vjollcë. Aty pranë, në një qese të vogël, ka mbetur vetëm një grusht qymyr. 50-vjeçarja nuk e di se si do të gatuajë kur të mbarojë edhe ai pak qymyr, pasi furnizimet në rajon janë pakësuar ndjeshëm.
Kjo pasiguri ka kapluar qytete në të gjithë Kubën, veçanërisht pasi Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, kërcënoi me vendosjen e tarifave për çdo vend që shet ose furnizon naftë në Kubë.
“Tani është një komb i dështuar,” deklaroi Trump këtë javë. “Ata nuk po marrin para nga Venezuela dhe nuk po marrin para nga askund.”
Pranë hyrjes kryesore të Santa Cruz del Norte, një mural i gjerë mban mesazhin sfidues me shkronja kapitale: “ASKUSH NUK DORËZOHET KËTU. RROFTË KUBA E LIRË.” Por nën hijen e këtij slogani, njerëzit pyesin veten se sa gjatë mund të rezistojnë.
Kriza e ishullit po thellohet me ndërprerje të rënda të energjisë elektrike, çmime të larta dhe mungesë të mallrave bazë. Qeveria kubaneze ka mbajtur heshtje për rezervat e saj të naftës, duke mos dhënë detaje nëse Rusia apo aleatë të tjerë do të ndërhyjnë.
Presidenti kubanez Miguel Díaz-Canel e përshkroi situatën si “komplekse” dhe qëndrimin e SHBA-së si “agresiv dhe kriminal”, duke paralajmëruar ndikime të rënda në transport, spitale dhe prodhimin e ushqimit. Ndërkohë, Meksika është zotuar të dërgojë ndihma humanitare.
Jeta me 6 dollarë në muaj
Për banorët si Gladys Delgado, e ardhmja duket e errët. “Me të gjitha ato tarifa që do t’u imponojnë vendeve, nuk do të hyjë naftë dhe si do të jetojmë?” pyet 67-vjeçarja.
Me një pension prej vetëm 6 dollarësh në muaj, ajo qep qilima me mbeturina rrobash për të fituar para shtesë. Pak metra më tutje, Minorkys Hoyos zien një grusht maniok në një tenxhere të vjetër mbi një skarë të improvizuar brenda shtëpisë.
“Jeton me atë që ke,” thotë ajo. Diabetike dhe 53 vjeçe, ajo mbështetet te një fanar i improvizuar me karburant për të parë në errësirë.
Ironia e fatit
Santa Cruz del Norte kishte energji elektrike gjatë tre muajve të fundit, ndryshe nga pjesa tjetër e Kubës, falë afërsisë me termocentralin. Por frika e banorëve u materializua një javë më parë kur ndërprerjet u rikthyen.
Ivan Amores e quan situatën “torturë”. Ai tani gatuan në një gropë të improvizuar, duke blerë qymyr të shtrenjtë për të shmangur tymin brenda shtëpisë.
Ironia është edhe më e madhe për Mariela Viel, 67 vjeçe, e cila ka punuar për 40 vjet në kompaninë e energjisë elektrike të Kubës. Tani, me një pension prej 8 dollarësh, ajo nuk mund të përballojë asgjë. “Ne jetonim mirë dikur. Kishim ushqim, para,” kujton ajo me nostalgji.
Megjithatë, jeta përpiqet të vazhdojë. Festimet tani fillojnë më herët, për të shfrytëzuar dritën e diellit. Dhe kur bie nata, nën dritën e hënës dhe muzikën e një skuteri që shërben si altoparlant, banorët vallëzojnë, duke sfiduar errësirën që i rrethon.














