Erion Braçe paralajmëron padi penale ndaj… socialistëve
Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe, ka paralajmëruar se do të padisë penalisht Drejtorinë e Tatimeve dhe institucione të tjera që drejtohen nga socialistët, të cilat nuk kanë respektuar afatet ligjore dhe nuk kanë dhënë informacionin e kërkuar nga Parlamenti.
Braçe deklaroi se më 2 shkurt kishte depozituar një kërkesë për seancë pyetje-përgjigje me ministren e Arsimit, por deri tani afatet e rregullta kanë kaluar pa u plotësuar.
Ai theksoi se situata është e papranueshme, duke përmendur rastin e shkollës “Edit Durham”, e cila, edhe pse është përfunduar, nuk funksionon ende, duke ndikuar në mbarëvajtjen e procesit arsimor për 1,700 nxënësit që duhet të ndjekin turnin e dytë.
Deputeti theksoi se kontrolli parlamentar nuk mund të përdoret me racion dhe se kërkesat e tij për marrjen e informacionit nga Tatimet dhe AKU janë të papërmbushura.
Për këtë arsye, Braçe paralajmëroi se do të nisë një kallëzim penal për të siguruar informacionin e nevojshëm.
Ai theksoi se informacioni që ka kërkuar nuk përbën të dhënë konfidenciale, pasi ka kërkuar veç një liste me emrat e kompanive që janë kontrolluar në kuadër të sigurisë ushqimore apo të operacionit kundër informaliteti.
“E dyta gjë që kam dhe kjo është e përsëritur, kam një seri kërkesash për marrje informacioni. Një pjesë jua kam bërë edhe juve tani, për dijeni, për t’ju thënë që pasi është ezauruar çdo lloj afati me Drejtorinë e Tatimeve dhe me institucionet e tjera, AKU, ISUV, e të tjera me radhë, tani do të shkojmë drejt një kallëzimi penal për të marrë informacion që është legjitim dhe që nuk përbën të dhënë konfidenciale.
Dhe nëse është, përgjegjësia për konfidencialitetin është e imja si deputeti i Kuvendit. Ndërkohë, që nuk kam kërkuar asgjë përveçse një liste me emrat e kompanive që janë kontrolluar në kuadër të sigurisë ushqimore apo të operacionit kundër informaliteti. Konfideciale!”, tha Braçe.