Eliminimi i Larijanit është më domethënës se ai i Liderit Suprem
Një shkrim i britanikes The Telegraph përmend se eliminimi i pretenduar i Ali Larijanit, shefit të sigurisë kombëtare të Iran, është një humbje më e rëndësishme për funksionimin e sistemit politik të vendit, se sa vrasja e Ali Khameneit, ish-liderit suprem.
Larijani, i cili u pa për herë të fundit në një marshim për Ditën e Quds-it, cilësohej drejtuesi de facto i sistemit, koordinuesi i institucioneve dhe diplomat i pakrahasueshëm në dekada.
Ai kishte kontroll mbi rrjedhën e informacionit midis institucioneve, koordinimin e kanaleve diplomatike, frenimin e konfliktit midis fraksioneve dhe implementimin e pasardhësisë së kontrolluar për të parandaluar fragmentimin e pushtetit.
Roli i tij ishte ndërtuar gjatë 30 viteve të shërbimit si ministër i Kulturës, drejtues i transmetimeve shtetërore, sekretar i Këshillit Suprem të Sigurisë Kombëtare, kryetar i Parlamentit për 12 vjet dhe përfaqësues personal i Khameneit pranë Vladimir Putin.
Një zyrtar iranian muajin e kaluar e përshkroi: “Ai po drejton gjithçka zyrtarisht këtu”.
Pasojat për qeverisjen dhe negociatat
Struktura e Republikës Islamike është e ndërtuar për të shmangur përqendrim të pushtetit në një institucion të vetëm, duke e bërë koordinimin e përgjithshëm të sistemit të domosdoshëm. Larijani ishte njeriu që e bënte këtë koordinim të funksionojë dhe njohuritë e tij nuk mund të zëvendësoheshin lehtë.
Ai njihte fuqinë reale të klerikëve në Qom, diplomatët rusë dhe kinezë, si dhe mënyrat për të negociuar duke lejuar kompromiset e nevojshme për të ruajtur stabilitetin brenda vendit.
Vrasja e Larijanit nuk do të thotë fundi i luftës me SHBA-të, por lë Iranin pa asnjë person të besueshëm për të negociuar me palët e jashtme.
Ai ishte figura e vetme e besuar nga njerëzit e vijës së fortë dhe qeveritë e huaja për të strukturuar marrëveshje, duke e bërë mungesën e tij një sfidë serioze për stabilitetin e sistemit iranian dhe për çdo përpjekje diplomatike për zgjidhje paqësore.
Në mungesë të Larijanit, pyetja mbetet nëse administrata e re e Mojtaba Khameneit do të jetë në gjendje të mbajë sistemin bashkë dhe të ruajë koherencën e politikave të brendshme dhe të jashtme të Iranit.