28 Mars, 2026

“El Mencho”: Nga migrimi në SHBA, te lideri i Kartelit më të frikshëm të Meksikës

 “El Mencho”: Nga migrimi në SHBA, te lideri i Kartelit më të frikshëm të Meksikës

Një nga lajmet më tronditëse të ditëve të fundit në Meksikë është raportimi i vrasjes së Nemesio Oseguera Cervantes, i njohur si “El Mencho”, lideri i Jalisco New Generation Cartel” (CJNG) – një prej karteleve më të frikshme meksikane.

Lajmi ka ndezur një valë dhune në Jalisco, Michoacán dhe Guanajuato, ku rrugët janë bllokuar, automjetet janë djegur dhe bizneset sulmohen në përpjekje për të demonstruar forcën e kartelit.

Autoritetet kanë shtuar patrullimet dhe kanë këshilluar qytetarët të shmangin rrugët kryesore.

Por çfarë dihet për El Mencho?

Rruga e El Mencho drejt pushtetit ka nisur herët. Si adoleshent, ai migroi ilegalisht në Shtetet e Bashkuara, ku u arrestua për çështje të lidhura me drogën dhe më pas u deportua në Meksikë.

Pas kthimit, ai u përfshi me kartelin Milenio, i lidhur me kartelin Sinaloa.

Por vdekja e Ignacio “Nacho” Coronel dhe fragmentimi i kartelit Milenio në vitin 2010 do të hapte rrugën për një legjendë të re të trafikut të drogës.

Nga atë moment, El Mencho nisi të ndërtonte CJNG-në në një strukturë të militarizuar dhe të frikshme: një organizatë që shtrihej në më shumë se 10 shtete, e pajisur me armë të rënda, automjete të blinduara dhe aftësi për bllokada të koordinuara masive.

Karteli krijoi rrugë trafiku ndërkombëtare drejt SHBA-ve, Evropës dhe Azisë, duke u bërë një nga organizatat kriminale më të fuqishme dhe më të dhunshme të Meksikës.

Rivalët e tij nuk munguan kurrë: kartelet e Sinaloa, Santa Rosa de Lima në Guanajuato, mbetjet e Los Zetas dhe milicitë vetëmbrojtëse në Michoacán u përballën me strategjinë agresive të CJNG-së, e cila shpesh përdorte dhunën brutale për të mbrojtur territorin dhe për të ndëshkuar kundërshtarët.

Tani, me lajmin e mundshëm të vrasjes së tij, Meksika përballet me një periudhë pasigurie: brenda CJNG-së mund të lindin përplasjet për pushtet, rivalët mund të përpiqen të zënë territore, dhe dhuna e koordinuar mund të shpërthejë përsëri në rrugët kryesore.

Autoritetet mbeten në gatishmëri, ndërsa qytetarët ndjekin me ankth çdo zhvillim të ri.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *