28 Mars, 2026

Edi Rama si xha Sulua, nga ndërzimi artificial tek lufta me Vietnamin

 Edi Rama si xha Sulua, nga ndërzimi artificial tek lufta me Vietnamin

Nga Sonila Meço

Anne Nivat, një nga gazetaret më të forta franceze i ka marrë një intervistë  kryeministrit Rama për revistën e njohur “Le Ponit”.

Nuk e kisha hasur aq të çoroditur në përgjigje kryeqeveritarin, njeriun që rrëmbeu skeptrin e liderit rajonal në kohën e artë për përkëdheljet ballkanike të Europës. Por që i duhej në këtë intervistë të shpjegonte me sforco kalimin nga mysybetet që kish siluruar dikur mu në CNN kundër Trump-it si “fatkeqësi botërore” tek aftësite e tij si ideator i “Bordit të Paqes”.

Është tejkaluar tashmë mbështetja me rrokjen në gjoks të Zelenskit, ka fituar tjetër qasje konflikti ruso-ukrainas në sytë e politikës sonë të jashtme, mohohen investimet kineze në vend, kur në fakt njihet botërisht prezanca e tyre në naftë.

Por çfarë të “verbon” me një rrëzëllitje iluzive është një përpjekje për t’u ikur pyetjeve të drejtpërdrejta me përgjigje që do shastisnin edhe Xha Sulon e “Kapedanit”, me kalime të tipit “nga ndërzimi artificial tek lufta me Vietnamin”.

Për ta sjmangur këtë stil Iu kthye me shumë se një herë gazetarja me ndërhyrje predhë: “: “Po ju pyes për SHBA-në, ndërsa ju më flisni për Rusinë”.

Meriton analizë të gjatë e sidomos të gjerë kjo intervistë, por po ndalem tek një detaj, qe lodhi gazetaren franceze, por ka rraskapitur gazetarinë e publikun këtu.

Nivat tha e bindur se zyrtarët e  Bashkimit Europian janë të shqetësuar se vendi nuk po bën mjaftueshëm për të luftuar korrupsionin dhe pastrimin e parave në Shqipëri. Ajo solli rastin konkret të Portit të Durrësit, që konsiderohet një qendër e madhe e pastrimit të parave, por kryeministri Rama e mohoi këtë pretendim, duke e cilësuar si “të pabazuar” dhe duke sjellë në vëmendje situatën me qytete-port të mëdha europiane, si Marseja, Roterdami, etj, që bëjnë të njëjtën gjë.

Një relativizim si ai i Gjermanisë me korrupsion e pastrim më të madh parash se yni.

Po mirë, dakord, edhe Marseja, Roterdami apo Antwerpi kanë probleme, edhe Gjermania zhulaqet në korrupsion.

Po kjo mbetet një teknikë e vjetër dhe retorike e dalë boje.

Logjika është e thjeshtë dhe mu për këtë, e pakundërshtueshme.

Nëse të tjerët kanë probleme, kjo nuk e zhbën problemin tënd. Nëse portet e mëdha europiane janë nën presion kriminal, ato janë po ashtu nën monitorim, hetim dhe transparencë të fortë institucionale.

Marseja, Roterdami apo Antwerpi nuk përmenden si modele për t’u justifikuar, por si sisteme që pavarësisht problemeve të shumta,
kanë ndërtuar mekanizma për t’i luftuar ato.

Këtu debati nuk është nëse ekziston fenomeni, por sa seriozisht trajtohet ai. Të krahasosh Durrësin me Roterdamin është si të krahasosh një bankë me një kasafortë, a thua se është çështje përmasash. Po flasim për standarde sigurie.

Një port europian funksionon me logjikën se çdo kontejner është i dyshuar derisa të provohet i pastër.
Ndërsa në modelin tonë çdo kontejner është i pastër…derisa të bëhet problem publik.

Në Marsejë krimi luftohet para se të hyjë në port, jo pasi del në treg. Ne kemi 0 ngarkesa lëndësh narkotike të kapura në disa vite. Pra kryeministri na krahason për problemet me portet europiane, por si mund të justifikojë rezultatin e luftës kundër trafiqeve dhe pastrimit të parave?

Çështja qendron tek aftësia për të ndërtuar institucione që nuk e tolerojnë problemin si normalitet.

Mjafton të shohësh standardin europian, ku porti është një algoritëm sigurie e ku bashkëveprojnë dogana, polici, inteligjencë dhe rregulla të Financial Action Task Force.

Ndërsa tek ne, propaganda përpiqet të na mësojë një tjetër filozofi, që porti është zhvillim, investim, imazh, marketing. Një fasadë që as pyet, as kontrollon, as dyshon.

Dhe problemi nuk është çfarë ndërtohet, se u mor vesh që porti u zëvendësua me agjensi pasurish të paluajtshme, por çfarë nuk kontrollohet, duke e rrezikuar Durrësin të përfundojë nga port kontrolli në korridor të garantuar për krimin e organizuar. Në fakt, tek Porti i Durrësit, ekonomia jonë takon hijen e vet.

E mandej, kur rreket propaganda ta cilësojë çdo denoncim të kësaj filozofie si dëmtim imazhi për vendin, mjafton të lexojmë këtë intervistë në Le Point për të kuptuar se imazhi i një vendi nuk dëmtohet nga pyetjet, por nga përgjigjet qesharake që u shmangen atyre.

Problemi o lum miku nuk është se kemi sfida, halle e korrupsion si Europa e sotme, por se justifikohemi si liderë të lodhur të Ballkanit të djeshëm.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *