Edi Rama për median izraelite: Jam luftëtar, pa u bërë rob i luftës! Frymëzimi nga figura të shquara të Izraelit
Nga Ariel Bulshtein*
Kryeministri shqiptar Edi Rama mbërriti në Izrael më 26 janar, menjëherë pasi e shtoi vendin e tij në Bordin e Paqes për Gazën të presidentit amerikan Donald Trump dhe pak para një përshkallëzimi të mundshëm me Iranin. Ai e njeh mirë Iranin dhe nuk ushqen asnjë simpati për regjimin e tij.
Në korrik 2022, Shqipëria përjetoi një sulm masiv kibernetik që goditi sistemet qendrore të qeverisë, shërbimet publike dhe bazat e të dhënave. Shumë shpejt u bë e qartë se regjimi i ajatollahëve qëndronte pas sulmit.
Rama reagoi me forcë. Ai dëboi diplomatët iranianë, mbylli ambasadën e Republikës Islamike dhe forcoi bashkëpunimin në fushën e sigurisë me SHBA-në dhe Izraelin. Nëse Teherani mendoi se një kryeministër intelektual dhe artist do të ishte pre e lehtë, u gabua rëndë.
“Sulmet kibernetike dhe operacionet e Iranit kundër Shqipërisë konfirmuan diçka të rëndësishme: ka regjime që eksportojnë destabilitet si mekanizëm mbijetese”, tha Rama, 61 vjeç, në një bisedë me Israel Hayom.
“Kundër vrasësve të Teheranit, rruga jonë ka qenë e qartë, heqja e ambasadës së tyre nga vendi dhe lidhja me Izraelin për të ndërtuar një nga sistemet kibernetike më të avancuara në botë”, shtoi ai.
“Shqipëria mbështet të drejtën e popullit iranian për të zgjedhur të ardhmen e vet lirshëm, pa shtypje dhe pa frikë. Çdo ndryshim në Iran duhet të vijë nga vullneti i vetë popullit. Për sa kohë që homainizmi jeton, liria është e vdekur dhe e varrosur”.
Pozicioni i Ramës në krye të Partisë Socialiste të Shqipërisë që nga viti 2005 e bën atë, me sa duket, të vetmin lider socialist në botë që ndan pikëpamje të përbashkëta me Trumpin në disa çështje dhe me Izraelin.
“Marrëdhëniet Shqipëri–Izrael janë strategjikisht të pjekura dhe mund vetëm të forcohen, sepse nuk janë ndërtuar mbi leverdi apo përputhje momentale”, deklaroi ai. “Ato janë të rrënjosura në diçka më të thellë se interesat dhe më të vjetër se instinktet demokratike të përbashkëta. Themeli i tyre i vërtetë është një kujtesë e gjatë morale.
“Mes Shqipërisë dhe Izraelit ekziston një partneritet politik, por mbi të gjitha një lidhje njerëzore. Një lidhje e ndërtuar përmes zgjedhjeve reale dhe marrjes së rreziqeve të vërteta, në momente kur qëndrimi i përbashkët kishte më shumë rëndësi se rehatia.
“Ajo u rrit nga përgjegjësia e përbashkët për sigurinë, nga besimi i fituar në heshtje dhe nga bashkëpunimi që nuk ka nevojë për slogane apo ceremoni për të ekzistuar. Kjo lidhje ekziston në besnikërinë e provuar, në kujtesën e respektit dhe në sigurinë e qetë se e di kush qëndron në krahun tënd kur ka vërtet rëndësi. Për ne, Izraeli është mik”, tha Rama.
“Izraeli është pikë reference për të mësuar”
Një perceptim i tillë për shtetin hebre nuk është i zakonshëm kur bëhet fjalë për një vend me shumicë myslimane si Shqipëria, veçanërisht duke pasur parasysh se aktorë të jashtëm kanë tentuar të shtrijnë ndikimin e tyre dhe të ndezin flakët e islamit radikal.
“Islami radikal nuk është vetëm kërcënim sigurie, por edhe kërcënim kulturor dhe qytetërues”, tha Rama. “Ai është kërcënim i drejtpërdrejtë për demokracinë liberale dhe paqen sociale, por edhe për vetë Islamin, sepse e shndërron besimin në mjet politik vdekjeje.
“Ballkani e njeh këtë rrezik nga afër. Ne e dimë çfarë ndodh kur identiteti bëhet armë dhe kur feja shfrytëzohet politikisht. Forca e Shqipërisë qëndron në traditën e gjatë të bashkëjetesës fetare, të mbështetur nga një shtet laik që garanton lirinë e fesë dhe tregon tolerancë zero ndaj ekstremizmit të dhunshëm”.
Ky perceptim e çoi Shqipërinë të luajë një rol udhëheqës në “Procesin e Akabës”, ku u mblodhën liderë fetarë nga Ballkani Perëndimor, myslimanë, katolikë, ortodoksë dhe hebrenj, për të adresuar rrënjët e radikalizimit. Rama, i pagëzuar katolik në fëmijëri por sot ateist, e sheh këtë përpjekje vetëm pozitivisht.
“Izraeli nuk është pjesë e procesit, por është pikë reference nga e cila mësojmë”, tha ai. “Përvoja e Izraelit në inteligjencë, parandalim dhe qëndrueshmëri shoqërore, e fituar nën kërcënim të vazhdueshëm real, ofron mësime që çdo demokraci serioze duhet t’i mësojë me kujdes.
“Aftësia për të mbrojtur qytetarët duke ruajtur jetën demokratike nuk është rastësi; ajo ndërtohet, testohet dhe përmirësohet vazhdimisht. Mësimi i përbashkët është i qartë, të jesh i fortë në siguri, i zgjuar dhe proaktiv në parandalim, dhe i pakompromis në mbrojtjen e mënyrës demokratike të jetesës”.
“Hamasi është një shpatë me dy tehe”
Kryeministri shqiptar është një figurë shumëngjyrëshe. Pas tij qëndron një e kaluar sportive dhe artistike (ka luajtur basketboll me kombëtaren dhe më pas u bë piktor), si dhe shumë histori jokonvencionale. Si kryetar bashkie i Tiranës, ai pikturoi ndërtesat me ngjyra të forta për t’i dhënë jetë qytetit. Ai e krahasoi transformimin e Tiranës me një grua të sëmurë që ngrihet nga shtrati pasi vë grim dhe buzëkuq. Kritikat nuk e devijuan nga rruga e tij.
As kritikat për miqësinë e tij me Izraelin nuk e lëkundin. Ndërsa përmend mbështetjen për palestinezët dhe aspiratën për zgjidhjen me dy shtete, lavdërimet për Izraelin, veçanërisht në arena të vështira si OKB-ja, mbeten të paharrueshme.
Rama e bazon qëndrimin e tij kundër Hamasit në shqetësimin e balancuar për të dyja palët.
“Hamasi është një shpatë me dy tehe, një teh mbi qafën e Izraelit dhe tjetri mbi qafën e vet palestinezëve. Ta mohosh këtë nuk është neutralitet, por shmangie morale. Në forume shumëpalëshe, Shqipëria mbështet pa ekuivok të drejtën e Izraelit për të ekzistuar dhe për të mbrojtur qytetarët e vet, qartë dhe pa hezitim”.
“Ne refuzojmë kategorikisht normalizimin e antisemitizmit në çdo formë, përfshirë kur maskohet si gjuhë politike apo zemërim selektiv. Dhe refuzojmë pretendimin se solidariteti me palestinezët kërkon heshtje përballë terrorit apo relativizim të mizorive të 7 tetorit”
Pyetje: Shqipëria bashkëpunon ngushtë me Izraelin në fushën e sigurisë dhe kundërterrorzmit. Cilat fusha të tjera dëshironi të thelloni?
Edi Rama: Bashkëpunimi ynë me Izraelin është tashmë real dhe funksional, ndaj synojmë ta thellojmë aty ku ka vërtet rëndësi. Së pari, kibernetika. Përvoja dhe mbështetja e Izraelit na treguan si të kalojmë nga cenueshmëria te qëndrueshmëria. Ne kërkojmë të thellojmë bashkëpunimin në mbrojtjen e sistemeve shtetërore, infrastrukturës kritike dhe shtyllës digjitale të demokracisë sonë.
Së dyti, kapacitetet mbrojtëse. Po ndërtojmë industrinë e mbrojtjes së Shqipërisë përmes partneriteteve konkrete me kompani izraelite, duke theksuar transferimin e teknologjisë, prodhimin lokal dhe trajnimin.
Së treti, inteligjenca dhe kundërterrorizmi. Jo vetëm kundër rrjeteve klasike terroriste, por edhe kundër kërcënimeve hibride, operacioneve të ndikimit dhe sabotimit të sponsorizuar nga shtete. Përvoja e Izraelit në këtë fushë është e pashembullt dhe mësimi prej saj është një prioritet strategjik.
Së katërti, bashkëpunimi në teknologji të avancuar, shëndetësi, arsim dhe inovacion. Një shtet i fortë, modern dhe inovativ është më i vështirë për t’u sulmuar dhe për t’u minuar.
Dhe së fundi, turizmi. Numri i turistëve izraelitë që vizituan Shqipërinë u rrit me pothuajse 800% vitin e kaluar. Kjo do të thotë se izraelitët ndihen të sigurt në Shqipëri, dhe siguria është forma më e thellë e besimit. Turizmi krijon lidhje njerëzore dhe hap derën për investime dhe prani afatgjatë.
Ekosistemi i inovacionit të Izraelit është pikërisht ai lloj gjeniu praktik me të cilin Shqipëria kërkon të lidhet. Në teknologji, ne synojmë partneritete në qeverisje digjitale, inteligjencë artificiale, fintech dhe arsim inteligjent, dhe po punojmë mbi disa projekte interesante, për shembull bankën e parë digjitale, e cila pritet të bëhet funksionale së shpejti.
Në fushën e ujit, fokusohemi te efikasiteti dhe zgjidhjet e bujqësisë precize, të përshtatura me ndryshimet klimatike. Në energji, jemi të interesuar për magazinim, menaxhim inteligjent të rrjeteve dhe integrim të energjisë së pastër, dhe diskutimet janë në vijim. Truri dhe përvoja izraelite janë më të mirat që mund të ëndërrosh.
Shqipëria do t’i çojë vlerat dhe miqësitë e saj në Bashkimin Europian, jo t’i lërë te dera. Popullit të Izraelit dua t’i them: në një periudhë kur frika dhe urrejtja lëvizin shpejt, ju i keni treguar botës se çfarë do të thotë qëndrueshmëria. Shqipëria do të qëndrojë në krahun tuaj dhe do të luftojë antisemitizmin, gjithmonë.
Pyetje: Si ndikon kultura në qasjen tuaj ndaj udhëheqjes, diplomacisë dhe shtetformimit?
Përgjigje: Kultura na mëson se njerëzit nuk janë statistika dhe se shoqëritë nuk janë makina. Në diplomaci, kultura ndihmon në të dëgjuarit, në “leximin e dhomës” dhe në të kuptuarit se simbolika ka domethënie. Në udhëheqje, ajo na lejon të imagjinojmë të ardhmen përpara se të krijohet. Politika pa imagjinatë bëhet thjesht administrim. Imagjinata pa përgjegjësi bëhet zbrazëti.
Shtetet e vogla dhe të mesme kanë sukses vetëm kur i përmbahen qartësisë: të qarta në vlera, të shpejta në aleanca dhe të shkëlqyera në një numër të kufizuar fushash strategjike. Ne nuk kemi luksin e dembelisë ideologjike apo të paqartësisë morale.
Izraeli tregon se si një shtet mund të jetë i vogël në territor dhe popullsi, por i madh në kapacitete, qëndrueshmëri dhe inteligjencë strategjike. Madhësia nuk është fat. Zgjedhjet vendosin. Shqipëria synon të mësojë nga më të mirët dhe të respektohet jo për fuqinë, por për qëndrueshmërinë e saj.
Rama beson se Izraeli mund të kontribuojë jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për forcimin e stabilitetit në Ballkan në përgjithësi.
“Izraeli mund të luajë një rol pozitiv përmes partneriteteve ekonomike, inovacionit dhe bashkëpunimit në siguri, si edhe përmes urave kulturore dhe arsimore,” shpjegoi ai.
“E shoh Shqipërinë si një shtet modern europian, plotësisht të integruar në BE, që kontribuon në siguri në rajonin tonë, shërben si aleat i besueshëm i partnerëve demokratikë dhe vazhdon të jetë kampion i mikpritjes, duke u rritur si një qendër e zhvillimit të qëndrueshëm në Mesdhe dhe Ballkan. Dua që Shqipëria të identifikohet me stabilitet, energji krijuese dhe qartësi morale, përfshirë në luftën kundër antisemitizmit dhe çdo forme urrejtjeje”.
Të mësuarit nga liderët hebrenj
I pyetur se kë sheh si model shtetëror, Rama i drejtohet burimeve befasuese frymëzimi.
“Mësoj nga liderë të ndryshëm hebrenj tipare të ndryshme. Nga David Ben-Gurion, disiplinën e hekurt të ndërtimit të shtetit nën kërcënim ekzistencial dhe aftësinë për të ngritur institucione ndërsa lufton për vetë mbijetesën. Nga Golda Meir, aftësinë për të thënë të vërteta të vështira pa teatër dhe për të përballuar vetminë e udhëheqjes pa kërkuar keqardhje”.
“Nga liderë si Ariel Sharon, Yitzhak Rabin dhe Shimon Peres”, shtoi ai, “mësoj mësimin më të vështirë të udhëheqjes, si të jesh luftëtar pa u bërë rob i luftës; si të ndjekësh paqen pa dorëzuar sigurinë; si të udhëheqësh kur historia kërkon vendime, jo duartrokitje; dhe si të mbash përgjegjësi në vend që të ndjekësh turmën”.
Rama ka edhe fjalë të ngrohta për kryeministrin Benjamin Netanyahu.
“Ai është pa dyshim një lider me ndikim. Si ministër financash, ndihmoi në formësimin e transformimit të Izraelit në ‘Startup Nation’. Si kryeministër, emri i tij lidhet me qëndrueshmërinë kombëtare dhe mbijetesën përballë vështirësive të jashtëzakonshme.
“Megjithatë, roli im nuk është të gjykoj demokracinë izraelite nga jashtë, por ta respektoj atë. Izraeli është një demokraci e fortë. Debatet e tij janë të brendshme dhe zgjedhjet u përkasin qytetarëve të tij. Roli i Shqipërisë është i qartë: të jetë një mik serioz dhe i besueshëm i Izraelit dhe i popullit izraelit në të gjithë spektrin politik”.