Edi Rama humb një gjyq 13 mln dollarë në SHBA (që do e paguajmë ne)
Pasi ka humbur 130 milionë euro në arbitrazh ndaj biznesmenit italian, Françesko Beketi, qeveria e Edi Ramës do të detyrohet të paguajë edhe 13 milionë dollarë për një tjetër kompani pas një gjyqi të humbur në arbitrazh.
Një gjykatë amerikane në Uashington ka vendosur se kompania Omni Bridgeway ka të drejtë të konfiskojë asetet e qeverisë shqiptare pasi ka fituar një gjyq arbitrazhi me vlerë 13 milionë dollarë.
“Një gjyqtar federal në Uashington, D.C., pranoi të lejojë financuesin e çështjeve gjyqësore Omni Bridgeway të sekuestrojë asetet që i përkasin qeverisë shqiptare, ndërsa kjo e fundit synon të mos zbatojë një vendim arbitrazhi që tani vlen rreth 13 milionë dollarë,” raportojnë mediat amerikane.
Qeveria e Edi Ramës e ka injoruar prej vitesh një vendim të tillë, ndërsa tani gjykata e Uashingtonit hap dritën jeshile për të konfiskuar asetet e qeverisë shqiptare.
Kujtojmë se një gjë e tillë ndodhi edhe me rastin e Beketit, i cili nisi sekuestrimin e llogarive shqiptare në Eurocontrol.
Vendimi fillestar i arbitrazhit kundër Shqipërisë u dha në vitin 2020 nga një gjykatë arbitrazhi në Zvicër.
Fatura e gjyqeve në arbitrazh që duhet të paguajë Shqipëria për shkak të kapriçiove të Edi Ramës i tejkalon 200 milionë dollarë.
Ndërkohë janë edhe të tjera procese, për të cilat akoma nuk ka një vendim final.
Gjoba
Arsyeja lidhet me një vendim arbitrazhi prej rreth 13 milionë dollarësh në favor të kompanisë GBC Oil, një firmë me pronarë shqiptarë dhe një amerikan. Ky vendim ka të bëjë me një konflikt që zgjat gati një dekadë, i nisur pas rritjes së taksave mbi koncesionet e naftës, kur kompania fillimisht Stream Oil kishte marrë leje për të shfrytëzuar disa fusha nafte dhe më pas ndryshoi pronësia disa herë deri tek GBC Oil.
Në vitin 2017, fushat e naftës u rikombinuan nga Albpetrol, pasi kompania pretendonte se GBC Oil nuk kishte përmbushur detyrimet dhe kishte borxhe të mëdha ndaj shtetit. GBC Oil iu drejtua Gjykatës Ndërkombëtare të Arbitrazhit në Zvicër, dhe në 2020 fitoi 12.7 milionë dollarë kompensim. Vendimi u konfirmua më pas edhe nga gjykata amerikane në Uashington, por Shqipëria nuk ka ndërmarrë asnjë hap për ta ekzekutuar atë.
Prandaj, Omni Bridgeway kërkoi nga gjykata lejen për të marrë masa kundër aseteve shqiptare jashtë vendit, duke shfrytëzuar të njëjtin parashikim që u përdor edhe në rastin e Albcontrol dhe Becchettit. Gjykata e aprovoi kërkesën dhe pas këtij vendimi, Shqipëria pritet të humbasë para ose asete jashtë vendit për të përmbushur vendimin e arbitrazhit, duke u vënë përsëri nën presion financiar dhe ligjor.
Ky rast tregon se vendimet ndërkombëtare, sidomos ato për taksat dhe koncesionet e naftës, mund të kenë pasoja direkte për asetet e shtetit, veçanërisht kur vendi nuk i përmbahet vendimeve gjyqësore. Shqipëria tani përballet me nevojën urgjente për të gjetur një zgjidhje ligjore për të shmangur konfiskimin e aseteve sovrane.