Dronët e lirë iranianë, që po shkaktojnë kaos në Lindjen e Mesme
Sulmet e fundit në Lindjen e Mesme kanë treguar se Irani po përdor një armë relativisht të lirë, por shumë efektive: dronët kamikazë.
Sipas një analize të publikuar nga BBC, që nga nisja e sulmeve ajrore amerikane ndaj Iranit fundjavën e kaluar, Teherani ka lëshuar mbi 2 mijë dronë drejt objektivave në rajon, në përpjekje për të mbingarkuar sistemet e mbrojtjes ajrore dhe për të krijuar destabilitet.
Shumica e këtyre mjeteve janë dronë të tipit Shahed 136, të cilët mbajnë eksploziv dhe shpërthejnë në momentin e goditjes së objektivit. Një nga sulmet më vdekjeprurëse deri tani ndodhi në një bazë amerikane në Kuvajt, ku sipas raportimeve u vranë gjashtë ushtarë amerikanë.
Objektivat e sulmeve kanë qenë kryesisht vendet aleate të SHBA-ve në Gjirin Persik, ku ndodhen baza ushtarake dhe personel amerikan. Dronët kanë goditur gjithashtu ambasada, aeroporte civile, infrastrukturë energjetike dhe madje edhe hotele luksoze në qytete të mëdha të rajonit.
Pamje të verifikuara tregojnë një dron iranian që godet një instalim radarësh në selinë e Flotës së Pestë të Marinës Amerikane në Bahrein, ndërsa një tjetër video nga Dubai tregon një shpërthim të madh pasi një dron u përplas në një hotel në ishullin artificial Palm Jumeirah.
Sulmet kanë ndikuar edhe në sektorin energjetik. Rafineria më e madhe e naftës në Arabinë Saudite në Ras Tanura u detyrua të ndalojë prodhimin pasi një zjarr u shkaktua nga mbetjet e një droni të rrëzuar.
Ndërkohë, në Katar u mbyll terminali më i madh në botë për eksportin e gazit natyror të lëngshëm pasi u bë objektiv i dronëve iranianë.
Megjithëse relativisht të thjeshtë në ndërtim, këta dronë janë efektivë. Çmimi i një droni Shahed 136 vlerësohet mes 20 mijë dhe 50 mijë dollarë, shumë më pak se kostoja e raketave balistike.
Droni është rreth 3.5 metra i gjatë, ka hapje krahësh 2.5 metra dhe mban rreth 50 kilogramë eksploziv në pjesën e përparme.
Ndryshe nga shumë dronë komercialë, ai nuk kontrollohet nga distanca gjatë fluturimit. Para lëshimit programohet me koordinatat e objektivit dhe lëviz duke përdorur navigim satelitor. Me një rreze veprimi deri në 2,500 kilometra, një dron i tillë mund të fluturojë teorikisht nga Teherani deri në Athinë.
Ekspertët thonë se Irani i përdor shpesh në “tufa” për të mbingarkuar sistemet e mbrojtjes ajrore të kundërshtarëve. Kjo i detyron SHBA-të dhe aleatët e saj të përdorin raketa interceptuese shumë më të shtrenjta për t’i rrëzuar, duke konsumuar rezervat e tyre.
Dronët Shahed janë përdorur më parë gjerësisht nga Rusia në luftën në Ukrainë për të goditur qytete dhe infrastrukturë energjetike. Sipas analistëve, strategjia e Iranit është të krijojë presion psikologjik dhe të detyrojë Washingtonin të pranojë një armëpushim.
Megjithatë, zyrtarët amerikanë thonë se intensiteti i sulmeve iraniane ka rënë ndjeshëm në ditët e fundit, ndërsa bombardimet amerikane dhe izraelite vazhdojnë të godasin kapacitetet e dronëve dhe raketave të Teheranit.
Sipas komandantit të forcave amerikane në rajon, numri i dronëve të lëshuar nga Irani ka rënë me rreth 83% krahasuar me ditën e parë të konfliktit.