28 Mars, 2026

Drejtësia e socialistëve

 Drejtësia e socialistëve

Nga Irena Beqiraj

Drejtësia , nuk është thjesht ekzistenca e ligjeve, gjykatave ose ritualeve të gjykimit. Është pritshmëria  se keqbërja do të ketë pasoja proporcionale, të zbatuara në mënyrë të vazhdueshme pavarësisht statusit të individit.

Ligji  është  mjeti ndërsa drejtësia është rezultati. Historikisht, shoqëritë e kuptuan këtë dallim në mënyrë intuitive. Ligji ekziston për t’i shërbyer drejtësisë, jo për ta zëvendësuar atë.  Autoriteti i ligjit e ka bazën në përputhjen e tij me intuitën morale të shoqërisë. .

Vizioni i drejtësisë që instaluan socialistët  këto 13 vite e degraduan më tej  marrëdhënien ligj -drejtësi .

Në drejtësinë që instaluan socialistët krimet e vogla (gruaja që vjedh dy kuti patatina , burri që nuk paguan energjinë elektrike , shoferi që parkon keq) dënohen në mënyrë agresive, ndërsa shkeljet burokratike  tejkalohen. Për më keq aferat e mëdha korruptive aq më tepër të përsëritura prodhojnë qëndrim në detyrë dhe jo ndjekje penale.

Për më keq drejtësia sipas vizionit socialist mund të tolerohet vetëm për aq kohë sa nuk kërcënon vazhdimësinë  institucionale. Kur  vazhdimësia institucionale  konfliktohet me drejtësinë , sipas socialistëve drejtësia duhet të dorëzohet.

Në drejtësinë socialiste fitorja duhet ti takojë  gjithmonë Pirros edhe drejtësia duhet ti shërbejë vetëm qëllimeve të tij . Në drejtësinë që na kanë ofruar socialistët , i njëjti proces nuk është gjithmonë i përshtatshëm për të gjithë, varet shumë nga emri i përveçëm i zyrtarit . Dikujt mandati i deputetit hiqet me zell edhe pa lexuar dosjen , dikujt tjetër i kërkohet në tavolinë nga Kryetari i Grupit Parlamentar, ndërsa  për dikë tjetër  horizontet kohore janë të gjata dhe llogaridhënia shpërndahet, madje pa skrupuj turpi flitet me krenari për ndryshim të  ligjit .

Kjo përmbysje e transformon ligjin në një armë e cila përdoret në mënyrë selektive, sipas gjykimit “të Pirros”

Ndërsa për qytetarin e thjeshtë kompleksiteti ligjor, vonesat proceduriale  çekuilibri i burimeve  e kanë transformuar drejtësinë në një mall luksi.  Për qytetarët e zakonshëm, drejtësia  e socialistëve është financiarisht dhe psikologjikisht shkatërruese.  Edhe kur rrallë herë ndodh që të gjesh  drejtësi, ajo vjen vite më vonë , pasi jetët janë shkatërruar, kursimet janë shterur, familjet janë tendosur dhe reputacioni është dëmtuar përtej çdo riparimi.

Kjo asimetri nuk është aksidentale. Ajo pasqyron një drejtësi  të optimizuar për të disiplinuar të qeverisurit, jo për të kufizuar qeveritarët.

Nën drejtësinë e socialistëve të pushtetshmit  nuk do t’ i shpëtojnë drejtësisë sepse janë të pafajshëm ata do ti  shpëtojnë drejtësisë sepse drejtësia e socialistëve do të vazhdojë të ristrukturohet  për të shmangur përballjen direkte me pushtetin.

Thënë shkurt , drejtësia e premtuar nga socialistët  nuk është thjesht e gabuar, por e manipuluar përtej mundësive për përmirësim.

Drejtësia nuk degradon duke bërë zhurmë , ajo degradon kur bëhet procedurale edhe braktis territorin e moralit në shoqëritë demokratike . Ajo degradon kur ekziston e zbrazur nga pritshmëritë  . Edhe kur drejtësia degradon në këtë derexhe , dëmi shtrihet përtej viktimave dhe autorëve, ai  plagos vetë strukturën shoqërore.

Njerëzit fillojnë ta përvetësojnë cinizmin si mençuri. Ndershmëria bëhet naivitet. Ndjekja e rregullave bëhet një detyrim më tepër sesa një virtyt. Në mungesë të  drejtësisë   pakënaqësia, fryhet në heshtje  edhe  spektakli i analistëve proqeveritar, edhe i kryeministrit çdo të djelë në podkast ofrohet si shpërqëndrim  pa ofruar zgjidhje.

Një shoqëri që nuk mund të flasë hapur, me sinqeritet,  për drejtësinë, nuk mund ta korrigjojë veten. Një shoqëri pa drejtësi është gjithmonë e brishtë , dhe çdo elitë politike që për pushtet  degradon drejtësinë, është e destinuar të  humbasë legjitimitetin  në popull edhe tek partnerët.

Ndaj,  drejtësia,  kali i rremë i betejës së socialistëve , është kthyer në vrastaren e legjitimitetit të tyre.

Me qëndrimin ndaj drejtësisë socialistët edhe pse të dehur nga pushteti po përballen me faktin se legjitimiteti  nuk lind vetëm nga zgjedhjet, as nga ligjet e miratuara, as nga institucionet vetëm në dukje të mirëmbajtura.  Ai lind kur njerëzit besojnë se keqbërjet do të trajtohen në mënyrë të drejtë, pavarësisht statusit.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *