Devolli ndër vendet e rralla në botë për kobaltin – Por çfarë përfitojnë banorët dhe Shqipëria?
Nga Lindita Begolli
Devolli ndër vendet e rralla në botë për kobaltin. Investimi për nxjerrjen e nikelit dhe kobaltit në Bilisht: Çfarë përfitojnë banorët e Devollit dhe të Shqipërisë? Çfarë përfiton Shqipëria nga kjo pasuri natyrore e rrallë që ka?
Devollinjtë duhet të ndërgjegjësohen për pasurinë e nëntokës së tyre. Ata jetojnë mbi miliarda euro por nuk e dinë. Kjo për shkak të politikave të gabuara në mosndërgjegjësimin e popullatës.
Një projekt i madh minerar, me vlerë rreth 1 miliard euro, pritet të zhvillohet në Bitinckë, në afërsi të qytetit të Bilishtit në rrethin e Devollit. Konçesion për nxjerrjen e rreth 500 mijë tonëve nikel dhe 25 mijë tonëve kobalt.
Ky investim paraqitet si një mundësi e rëndësishme ekonomike për Shqipërinë dhe zonën e Devollit, por njëkohësisht ngre një pyetje shumë thelbësore për përfitimet e vërteta për shtetin dhe komunitetin vendor të Devollit.
Si funksionon marrëveshja, ose si do të funksionojë kjo marrëveshje?
Projekti pritet të realizohet përmes një kompanie të përbashkët midis investitorëve të huaj. Shteti shqiptar nuk është pronar i drejtpërdrejtë i burimeve, ai thjesht jep licencën dhe lejon shfrytëzim e burimeve tona përmes një marrëveshjeje koncesionare. Kështu kompanitë private marrin përsipër investimin, nxjerrjen dhe përpunimin e mineraleve (nikelit dhe kobaltit) ndërsa shteti përfiton përmes taksave dhe detyrimeve ligjore. Për këto do duhet transparencë nga ana e shtetit tonë.
Sa vlen pasuria minerare e nëntokës sonë?
Duke u bazuar në çmimet e tanishme ndërkombëtare:
Nikeli vlerësohet rreth 18 000 dollarë për ton.
Kobalti rreth 56 000 dollarë për ton.
Në total, kjo shkon në vlerë të afërt prej rreth 10 miliardë dollarësh (ose 9 – 10 miliardë euro). Edhe pse ky nuk është fitimi neto, se duhen zbritur kostot totale të veprimtarisë. Çështja është që banorët të ndërgjegjësohen dhe të kërkojnë të drejtat e tyre për shfrytëzimin që po i bëhet pronës së tyre.
Çfarë përfiton shteti jonë shqiptar?
Përfitimet e shtetit janë kryesisht indirekte dhe përfshijnë:
1.Rentën minerare (zakonisht 2 – 10% e prodhimit).
2.Tatimin mbi fitimin (rreth 15%).
3.Të ardhura nga taksa të tjera dhe aktivitete ndihmëse.
Në tërësi Shqipëria mund të përfitojë rreth 5 deri në 10 ose 15% të vlerës së projektit, afërsisht 500 milionë deri në 1.5 miliardë euro gjatë gjithë periudhës së shfrytëzimit të tokës.
Po bashkësia vendore çfarë përfiton?
Edhe pse përfitimet janë kryesisht afatshkurtra dhe indirekte, banorët e zonës mund të përfitojnë nga:
1.Hapja e vendeve të punës. (Punë të pakualifikuara, sepse pozicionet e specializuara mbulohen nga ekspertë të huaj).
2.Zhvillimi i bizneseve të vogla vendore. (Duke iu rritur disi xhiro gjatë periudhës së projektit)
3.Përmirësimi i infrastrukturës. (Bërja e rrugëve për tek vendodhja e minierave).
Rreziqet dhe sfidat
Duke u nisur nga përvoja të hidhura nga të tjera projekte të ngjashme në Shqipëri, ky lloj projekti shoqërohet edhe me disa rreziqe serioze si:
1.Ndotje e mjedisit (tokë, ujë, ajër).
2.Shfrytëzim i pasurive pa përfitim të drejtë për vendin.
3.Mungesë transparence në marrëveshje.
4.Mundësi e dobët negocimi nga pala shqiptare.
Nëse kontrata nuk është e leverdisëshme, ekziston rreziku që përfitimet kryesore të përfundojnë jashtë Shqipërisë dhe në xhepa personale të individëve të caktuar të përfshirë në këtë marrëveshje, ndërsa Shqipëria të mbetet me pasoja mjedisore dhe përfitime të kufizuara ekonomike.
Pra, ky investim në dukje përfaqëson një potencial të madh ekonomik prej 10 miliardë euro. Ama, përfitimi i vërtetë për Shqipërinë varet plotësisht nga:
1.kushtet e marrëveshjes së firmosur,
2.niveli i transparencës, dhe
3.aftësia e institucioneve tona për të mbrojtur interesin publik.
Në thelb, ky projekt mund të jetë një mundësi zhvillimi i madh për vendin tonë, ose një rast plotësisht i humbur në dëm të vendit.
Gjithçka varet nga mënyra se si do të menaxhohet dhe administrohet.