Deputeti i Arlind Qorrit sulmon Izraelin nga salla e Kuvendit dhe voton ‘kundër’ për Iranin
Deputeti i partisë së Arlind Qorrit, Redi Muçi ka folur në Kuvend, në lidhje me rezolutën që mazhoranca votoi për Iranin.
Gjatë fjalës së tij, ai u shpreh se vendet e BE-së e kanë shpallur gardën iraniane revolucionare si organizatë terroriste, në mbështetje të rinjve dhe të rejave që kanë protestuar.
Po ashtu, Muçi akuzoi PS, duke theksuar se duhet të qëndrojnë në anën e duhur dhe jo vetëm kur kjo përkon me interesat e më të fortëve.
Ai sulmoi kryeministrin e Izraelit dhe abstenoi për rezolutën kundër Iranit.
“Po na propozoni një rezolutë për shpalljen e Republikës së Iranit si shtet që mbështet terrorizmin. Ndërkohë, vendet e BE-së me të drejtë kanë shpallur Gardën Revolucionare Iraniane si organizatë terroriste, për hir të gjithë atyre të rinjve dhe të rejave që kanë protestuar në sheshet e Teheranit dhe janë përballur me presionin e regjimit.
Do të ishte në nderin e këtij Kuvendi dhe në nderin tuaj që të ishit në anën e duhur, jo vetëm kur kjo është në interesin e më të fortëve, por edhe kur bëhet fjalë për të mallkuarit e kësaj bote, siç thoshte Frantz Fanon.
Sepse nuk ka hipokrizi më të madhe sesa të na paraqisni këtë rezolutë, kur kryeministri juaj, për turpin tim dhe të gjithë shqiptarëve, shkoi dhe u ul në gjunjë përballë Benjamin Netanjahut, një njeri për të cilin ekziston një urdhër arresti,” u shpreh Redi Muçi.