28 Mars, 2026

Çudirat e fjalimit të kryeministrit

 Çudirat e fjalimit të kryeministrit

Nga Gjergj Erebara

Edi Rama shpalli sot se lufta kundër korrupsionit është ilaç më i dëmshëm se sa sëmundja!

Edi Rama paralajmëroi, në mënyrë qesharake, se lufta e drejtësisë kundër korrupsionit rrezikon rrugën e Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian, rrezikon ekonominë, rrezikon stabilitetin e vendit.

Me zërin që i dridhej nga i shuhej herë pas here, Edi Rama u rrek të na bindë se lufta e tij kundër drejtësisë nuk është për pushtetin, por për shtetin.

Ai sugjeroi gjithashtu se pret një gjykim të drejtë ndaj qeverisjes së tij nga historia, si figurë me ambicie historike që është.

Edi Rama fyu prokurorët dhe gjyqtarët duke i konsideruar si fëmijë që kanë pushtet.

Rama supozoi (pa dhënë fakte) se administrata publike është nën terrorin e persekutimit pa të drejtë nga SPAK dhe rrjedhimisht “nuk firmosin”. Ai shpalli alarmin se qeveria mund të mbetet pa letër higjenike, sepse personi përgjegjës nuk guxon të firmosë prokurimin. (Unë i rekomandoj të përdorin në këtë funksion dokumentet e procedurave të tenderimit sepse me këtë rast edhe zhdukin provat).

Nën maskën e mbrojtjes së të drejtave të njeriut, Edi Rama shpalli sot dëshirën dhe planet për të ndryshuar ligjet e drejtësisë penale të vendit me qëllimin aspak të fshehtë që të zhveshë prokurorët dhe gjykatat nga mjetet që kanë për të luftuar korrupsionin dhe abuzimin me detyrën.

Edi Rama, në mënyrë të pambështetur në fakte, aludoi se një numër biznesmenësh po trajtohen në mënyrë të padrejtë nga SPAK, duke rrezikuar ekonominë kombëtare. Sipas Ramës, atyre po u dëmtohet reputacioni, (a thua se e kanë një të tillë).

Edi Rama cilësoi dy media të cilave nuk ua përmendi emrin si “uturakë” ndërsa deklaroi, pa dhënë fakte dhe pa përmendur se për cilat media e ka fjalën, se ka para të pista në financimin e tyre. (Përkundër kësaj, Rama nuk foli për mënyrën se si financohen mediat e propagandës së tij, të cilat, dukshëm financohen nga korrupsioni sistemik.)

Edi Rama mbrojti si të pafajshme ish-drejtoreshën e AKSHI Mirlinda Karçanaj por nuk denoi të japë një opinion për pafajësinë ose jo të dy të të pandehurve të tjerë në çështje, Ergys Agasi dhe Ermal Beqiraj, të akuzuar për rrëmbim personi dhe organizatë kriminale.

Në përgjithësi fjalimi ishte një përpjekje e dëshpëruar për të bindur ndokënd se qeveria e tij nuk është tërësisht e korruptuar ose që korrupsioni nuk është fenomen aq i keq sa ankohen cmirëzinjtë.

Pati disa alegori të përsëritura dhe aspak gajasëse. Media u cilësua si tenxhere, (jo si kazan), informacionet e publikuara mbi hetimet e SPAK si “bomba artizanale).

Përfundimisht ishte një humbje kohe që ta dëgjoje.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *