28 Mars, 2026

Ç’do bëjë Rama me Ballukun

 Ç’do bëjë Rama me Ballukun

Nga Bedri Islami

I ndodhur përballë çështjes Balluku, njëra nga zjarret më përvëluese të periudhës së tij qeverisëse, që, edhe po të mos jetë e plotë në të gjithë thellësinë e saj, mjafton për të lëvizur themelin e godinës kryeministrore, ai ka mbetur mes dy zgjedhjeve, asnjëra prej të cilave nuk është joshëse për të dhe as pa enigmat e tyre.

Në fakt, si kanë vërejtur disa nga institucionet ndërkombëtare që monitorojnë nga afër zhvillimet politike në Shqipëri, pas luftës për  mbrojtjen e Ballukut, qoftë edhe përmes zgjidhjeve ligjore të momentit të fundit,  qëndron shumë më tepër se kaq.

Halli i parë i madh, ose zjarri i papritur për Ramën nisi nga një sallë gjyqi. Disa mesazhe të dërguara nga zonja Balluku drejt ndihmësit të saj më të afërt dhe ruajtja e tyre si shenjë sigurie dhe mosbesimi, sollën kërksën e papritur të një prokurori special për pezullimin e saj nga detyra dhe, si ndodh gjithnjë, gjykatësi e miratoi menjëherë.

Problemi për Ramën ishte më i gjërë se largimi i një figure që, deri para pak viteve, kishte qenë në hije.

Nëse vendimi i gjykatës, në mbështetje të kërkesës së një prokurori, për pezullimin e saj nga detyra, do të kthehej në një precedent politik dhe juridik, që të nesërmen, e gjithë godina qeveritare do të ishte nën ankthin e pezullimit. Duke nisur nga vetë shefi i qeverisë, ministrat e tjerë, figura të rëndësishme të shtetit, drejtues të institucioneve të pavarura, të cilët, nën “një dyshim të arsyeshëm”, do të gjendeshin në ropullimën dhe gjendjen  e njerëzve anonimë, si kishin qenë shumë prej tyre para se të bëheshin funksionarë të lartë.

Një precedent që arrin te figura 2 e qeverisë nuk e ka për gjë të arrijë edhe të parin e saj, aq më tepër që, në gjithë këto kohë, nën lëvizjet e njohura, rrjedhin ujëra të tjerë, të cilat, herë krejtësisht hapur, herë të mbuluara përmes frazave që, “kush është bektesh, e merr vesh”, dëshmojnë për luftën, pa e vënë këtë fjalë në thojza, mes qeverisë dhe SPAK, ku secila prej tyre është e gatshme të shkrijë tjetrën.

Edi Rama duroi lehtësisht goditjen e ish ndihmësit të tij kryesor, Ahmetaj, nuk i lëvizi qepalla për mikun e rinisë, Beqaj, e lëshoi lehtësisht kryebashkiakun Veliaj, do e kishte lënë në mesin e rrugës edhe Ballukun, nëse nuk do të ishte enigma e precedentit që do të krijohej: pezullimi i funksionarit të lartë, përmes një vendimi paraprak.

Kushdo është në të drejtën e tij të besojë se SPAK do e bënte këtë me shumë dashuri e qetësi ndaj Edi Ramës, ashtu si Edi Rama, me po kaq qetësi e dashuri do e kishte bërë ndaj SPAK-ut.

Nëse Gjykata Kushtetuese do të kishte marrë një vendim, përmes të cilit ndalohej pezullimi i një funsionari të lartë, si është rasti i zonjës Balluku, dhe, me këtë rast nuk do të kishte një precedent të tillë, atëherë, pa asnjë dyshim, do të ishte hequr mandati i deputetit për Zonjën Balluku, do të ishte lënë për më pas ligji i ri që po bëhet me urgjentisht, si asnjëherë tjetër, që është në fakt karshillëku ndaj SPAK dhe mburoja ndaj së ardhmes të secili funksionar të lartë, dhe gjërat do të kishin një pauzë të lehtë, për të shkuar më tej, në betejën e radhës.

Tani dilema mbetet: çfarë do të ndodhë me çështjen Balluku? Po me vetë Edi Ramën. Cila do të jetë radha e përplasjes së ardhshme?

Largimi i saj nga posti i deri tanishëm, nuk e zhbën problemin, e rrit atë, ashtu si nuk heq zjarret përreth Edi Ramës dhe nuk e pakëson nivelin e vërshimit politik të së ardhmes.

Mbajtja e Ballukut në mandatin e saj si deputete, çka po luhet në pas skenën e politikës, do të jetë ndoshta rasti më unik i përceptimit të politikës si prona më private në tërë këtë zhvillim. Rama e ka fuqinë për ta bërë këtë, në parlament ai ka një shumicë frikësuese, vetë natyra e tij autoritare dhe autokracia e krijuar nga vetë aio është po ashtu, e frikshme.

Ai mund ta bëjë, por droja është jashtë Shqipërisë. Është tek ata që takohen me të, të cilët e njohin këtë zhvillim në të gjithë hapësirën e duhur. Deri tani, qoftë edhe në heshtje, Rama e ka pranuar disfatën e brendshme për të pasur fitoren e jashtme. Ai ka para vetes një luftë të gjatë dhe të kushtueshme. Mund të zhbëjë ligje, mund të rikthejë fantazma politike, mirëpo kjo nuk mund të jetë e përhershme dhe në fakt, do të ishte shumë e kushtueshme. Nuk mund të mbushë mendjen e askujt në institucionet ndërkombëtare se fjala është për më shumë demokraci dhe mbrojtje të drejtave njerëzore.

Refuzimi për të hequr mandatin e deputetes Balluku, për hapjen rrugë të hetimeve më të gjëra, në kushte të tjera, do të jetë kosto e rëndë për Edi Ramën, por edhe për të majtën në pushtet. Do të jetë fillimi i fundit i rënies në rrokullimë nga pushteti dhe hapja e shumë dosjeve që ende mbahen larg syrit ciklopik të drejtësisë. Berisha ra nga pushteti atë ditë që refuzoi hetimin e zingjirit komandues të Gardës së Republikës në mbrëmjen e 21 janarit, zhvillimet e mëtejshme ishin thjeshtë butaforia e pushtetit.

Dobësia e Edi Ramës, sidomos nga mesi i mandatit të tretë, është garancia e drejtësisë së tij relative, e cila, me kalimin e kohës, po bëhet sunduese.  Institucionet e drejtuara nga ai, dalngadalë po bëhen të padurueshme. Njerëzit e zgjedhur, përsëri, nga vetë ai, tashmë janë kthyer në sundues të vegjël, të cilët e përfytyrojnë shtetin si një vend të pushtuar, ku kanë të drejtë të plaçkitin, të rrëmbejnë, të grabitin, pa asnjë droje se e nesërmja mund të jetë fatale. Për më tepër, as nuk përpiqen më ta fshehin zullumin.

Drejtësia e vjetër ishte shumë herë më e ndershme se kjo e sotmja; institucionet e disa viteve më parë ishin shumë më tepër relaksuese se tani.

Rruga tjetër e Ramës është po ashtu e rrezikshme.

Braktisja e zonjës Balluku në ingranazhin e SPAK, që tani është edhe më inatçor ndaj saj, pasi përmes këtij rasti, si duket, nga forca e kartonit parlamentar do i hiqen disa të drejta të dhuruara, do të ishte, po ashtu, një shenjë e dobësisë qeveritare, por edhe e pasojave që mund të ketë pas vetes. Zonja Balluku nuk duket si një prej tyre që do të ulë kokën qetësisht në gijotinë, duke thirrur “Rroftë mbreti”. Edhe kur këtë e kanë provuar njerëz të dashur të saj, që ishin krejtësisht të pafaj në akuzën e ngritur, përsëri koka e tyre u vendos nën satër. Nuk besoj se ajo ka ndër mend të bëjë kaq lehtësisht harakiri.

Refuzimi i heqjes së mandattit do të jetë shenja e madhe që kjo qeveri mund të dërgojë në të gjitha institucionet ndërkombëtare, drejt së cilave synojmë, për nëpërkëmbjen e së drejtës, të ligjeve dhe të qenies së barabartë si qytetarë.

Unë jam i një mendje me mendimet e dhënë nga disa specialistë të njohur të jurispendencës, se me ligjet e tanishme të miratuara nga nevoja urgjente e reformimit të drejtësisë, shpesh herë tejkalohen të drejtat e hetimit apo gjykimit. Jam i një mendje se në disa raste, si ai i zotit Veliaj, Beqaj apo Meta tejkalimet dhe ndjenja e zoterimit dhe e harbutërisë po ndikojnë negativisht në mjedisin e së drejtës. Por, asnjë herë, nuk mund të heqësh sytë, duke dashur të ndreqësh vetullat.

Është një punë e vështirë, por e urtë të ndalosh një fushatë përpara çastit kur fitorja shndërrohet në raskapitje.

Fushata e tanishme në rastin Balluku, apo në të ngjashme si kjo, mund të jetë lehtësuese dhe e këndshme në grindjet e përditshme, herë – herë qaramane, të politikës së lartë, por është rraskapitëse në jetën e njerëzve të zakonshëm.

Refuzimi për të hequr mandatin e deputetit do të jetë mbyllja e shumë portave për shefin e qeverisë, skandalet që po përcjellin fillimin e mandatit të tij të katërt nuk mbyllen dot me pjesëmarrjen në Bordin e Paqes, që,  si çdo sprovë autokrate nuk do të jetë aq jetë gjatë sa profetizohet, pasi në të nuk ka asnjë profet; tentimi për të vendosur numrin mbi mendjen dhe të drejtën do të jetë fatal, por edhe nuk do të mbyllë dot përplasjen mes dy institucioneve, qeveri dhe SPAK, ku i pari ka thirrur në ndihmë pjesën e tij parlamentare, për të ndryshuar ligjet, dhe i dyti ka pas vetes shumë institucione ndërkombëtare, që tani për tani e quajnë të paprekshëm dhe jetësor institucionin e ri të drejtësisë.

Rama është mes dy zjarreve të mëdhenj, duke parë se si rreth tij kanë filluar të duken shenjat e zjarreve të tjerë.

Ai do të vazhdojë të qeverisë, dhe ashtu si të gjitha autokracitë, edhe kjo e tanishme, pretendon që, përmes rrëzimit të ligjeve dhe krijimit të ligjeve të reja, të zgjatë jetën e saj.

Zakonisht njerëzit e dehur me pushtetin kanë çastin e tyre të sprovës së madhe, kur do i duhet të bëjnë llogaritë e duhura, nëse ky pushtet, kaq i gjërë dhe i furishëm, do të mund të ndalojë stuhitë e së ardhmes, duke shuar zjarret e tashme.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *