28 Mars, 2026

Britania dyfishon trupat në Norvegji përballë “kërcënimit rus”

 Britania dyfishon trupat në Norvegji përballë “kërcënimit rus”

Mbretëria e Bashkuar do të dyfishojë numrin e ushtarëve të dislokuar në Norvegji, duke e çuar praninë nga 1 mijë në 2 mijë trupa brenda tre viteve, si pjesë e forcimit të mbrojtjes në Arktik përballë asaj që Londra e cilëson si rritje të kërcënimeve nga Rusia.

Ministri britanik i Mbrojtjes, John Healey, deklaroi se Rusia përbën “kërcënimin më të madh për sigurinë e Arktikut dhe Veriut të Largët që nga Lufta e Ftohtë”.

Sipas tij, kërkesat për mbrojtje janë në rritje, ndërsa prania britanike në Norvegji do të rritet ndjeshëm në vitet e ardhshme.

Healey pritet gjithashtu të konfirmojë se forcat britanike do të marrin pjesë në misionin Arctic Sentry, të dislokuar në kuadër të NATO.

Misioni synon të forcojë sigurinë në Arktik, duke ndjekur modelin e operacioneve të Aleancës në Detin Baltik dhe në krahun lindor.

Këto zhvillime vijnë në një moment kur presidenti amerikan Donald Trump u ka bërë thirrje vendeve evropiane të marrin më shumë përgjegjësi për sigurinë e tyre.

Në dhjetor, Mbretëria e Bashkuar dhe Norvegjia nënshkruan një marrëveshje të re bashkëpunimi në fushën e mbrojtjes, që parashikon operimin e përbashkët të një flote fregatash për të “gjurmuar nëndetëset ruse” në Atlantikun e Veriut.

Flota do të patrullojë zonën mes Groenlandës, Islandës dhe Mbretërisë së Bashkuar, me fokus mbrojtjen e kabllove nënujore të energjisë elektrike dhe tubacioneve të gazit – infrastrukturë kyçe për sigurinë energjetike të Evropës.

Para kësaj marrëveshjeje, Oslo kishte njoftuar blerjen e të paktën pesë fregatave të tipit 26 nga kompania britanike BAE Systems, në një marrëveshje me vlerë rreth 10 miliardë paundë.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *