28 Mars, 2026

Biseda Duma -Zemani edhe She -ekonomia

 Biseda Duma -Zemani edhe She -ekonomia

Nga Irena Beqiraj

Në një video të shkurtër  Grida Duma edhe Bora Zemani i tregonin njëra tjetrës për hallin “e vështirë” të menaxhimit të garderobave të tyre të bollshme!

Statistikat tregojnë se gratë kryejnë 80% të blerjeve të konsumatorëve dhe “janë konsumatoret më të fuqishme në planet”. Po po mos u çudisni, aq shumë konsumojnë gratë  saqë Morgan Stanley ka propozuar që  nuk duhet  quajtur më  “ekonomi”, por ‘She -ekonomi”!

Gratë  pas kësaj mund të ndiheshin  të fuqizuara, por jo!  Sepse shumica dërrmuese e blerjeve të konsumatorëve drejtohen nga nevoja  emocionale dhe jo nga domosdoshmëria, edhe nxitësi më i madh i këtij konsumi  është frika  e humbjes së përkatësinë shoqërore. Kjo ndjesi krijuon urgjencën që anashkalon vlerësimin racional. Një konsumator i lumtur është në të vërtetë një konsumator i keq, ndaj gratë “e inferiorizuara” nga vet-objektifikimi janë më e vlefshme se ari në ekonominë  e sotme.

She -Ekonomia e ka bazën tek ajo që në vitet 1970, filozofja feministe Sandra Bartky e quajti “narcisizimi femëror” . Ose ndryshe  proçesi me anë të të cilit gratë inkurajohen, si drejtpërdrejt ashtu edhe fshehurazi, të  preokupohet kaq shumë për pamjen e tyre . Objektifikimi  i grave prodhon një dualitet në vetëdijen femërore. Vështrimi i të tjerëve brendësohet në mënyrë të tillë që gruaja vetë të bëhet njëkohësisht edhe vlerësuese dhe gjëja e vlerësuar . Kështu  gratë mësuan të vetëmonitorojë çdo detaj dhe të kontrollojë vazhdimisht pamjen e tyre edhe për çdo “të metë” të perceptuar, të kërkojnë dëshpërimisht “një kurë” .

Pasi infektohen me besimin se janë  mangëta , të pabukura dhe duhet të përmirësohen,  shitet kura.

Kurat për gratë e inferiorizuara nga vetobjektifikimi  janë një mori e pafundme rrobash këpucësh, çantash,  kirurgjish kozmetike, grimi, serumesh, parfumesh, pastruesish, farmaceutikësh, hidratuesish, nxirjeje me spraj, stomatologji kozmetike, maska ​​flokësh,  trajtimesh fytyre,  e kështu lista vazhdon. Produkte dhe shërbime të reja ose të paktën “të përmirësuara” “shpiken” çdo ditë për ta mbajtur  She -ekonominë   në lëvizje.

Ndërkohë  provat empirike sugjerojnë se asgjë nga këto nuk përmirëson lumturinë afatgjatë, por në  fakt  çdo konsum i tepërt i kurave të vetëobjektifikimit rrit simptomat e depresionit dhe ankthit.

Dhe kur konsumatoret nuk arrin të gjejë lehtësimin që u është premtuar në mënyrë mashtruese, aty thjesht u këshillohet të konsumojë më shumë.

E pra , Gridës edhe Borës  të vet-objektifikuara tanimë , të flasin për menaxhimin e garderobave të tejmbushura u duket si matsi më i vlefshëm i vetmjaftueshmërisë së tyre!

Megjithëse mikeshat e mia që më lexojnë do të thonë : prapë me gratë ti ?! Pooo prap me to!

Sepse pa dashur janë vetë gratë që kanë projektuar një kulturë e cila  mban vajzat edhe gratë  të bllokuara në një situatë  të përjetshme shtypjeje me vetëvlerësim të ulët dhe në mjerim; i  le ato të uritura shpirtërisht edhe emocionalisht, ndërkohë që i  ushqyen me mashtrimin e virtytit të dukshmërisë;  një kulturë që na pengon të bëhemi lidere mendimi, të kultivojmë marrëdhënie të shëndetshme, të shkëlqejmë në profesionet tona, apo të jemi të lumtura me atë që jemi.

Sepse një realitet është thjesht ajo që i themi njëri-tjetrit se është. Të shëndoshët mendërisht dhe të çmendurit mund të ndërrojnë lehtësisht vendet, nëse të çmendurit do të bëheshin shumicë.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *