28 Mars, 2026

Autostrada Janinë-Kakavijë me 6 korsi kushton 40 % më pak se Qukës-Qafë Plloçë me 2 korsi (dhe e prishur)

 Autostrada Janinë-Kakavijë me 6 korsi kushton 40 % më pak se Qukës-Qafë Plloçë me 2 korsi (dhe e prishur)

Greqia njoftoi zyrtarisht nisjen e punimeve për ndërtimin e autostradës moderne Janinë-Kakavija.

Kontrata për ndërtimin e rrugës 70 kilometër të gjatë, e cila do të ketë 2 korsi 3.75 metër plus një korsi emergjence 2.3 metër në çdo anë, u nënshkrua për një kosto totale prej 310 milionë euro duke përfshirë tatimin mbi vlerën e shtuar.

Kjo do të thotë se një kilometër në autostradën Janinë-Kakavije do të kushtojë 4.4 milionë euro.

Ndërkohë Shqipëria sapo inauguroi rrugën famëkeqe Qukës-Qafë Pllocë. Ky segment 43 kilometër i gjatë, që ka vetëm një korsi në secilën anë, u mbyll me një kosto prej 260 milionë eurosh. Pra mesatarisht mbi 6 milionë euro për kilometër katrorë.

Faqja online Kapitali ka bërë krahasimin mes dy rrugëve: Në Greqi, autostrada me 4 plus 2 korsi kushton 40 për qind më pak se sa një rrugë me 2 korsi në Shqipëri.

Megjithatë nuk mbaron me kaq. Qukës-Qafë Plloçë shfaqi dëmtime të rënda vetëm pak javë pas inaugurimit dhe do të marrë të tjera para nga buxheti i shtetit.

Burime nga Ministria e Infrastrukturës bëjnë të ditur se po shqyrtohet mundësia e ndërtimit të një tuneli për të stabilizuar një segment problematik të rrugës, që ka dalë totalisht jashtë funksionit, por momentalisht në sektorin e infrastrukturës nuk firmoset asgjë, pasi SPAK vuri nën akuzë ministren Belinda Balluku.

Por problemi i Qukës-Qafë Pllocë është aty dhe pavarësisht se kush do të jetë ministër stabilizimi i rrugës do të kërkojë të tjera fonde të konsiderueshme, që do ta rrisin më tej koston e saj.

Autostrada e re Janinë-Kakavijë do të shkurtojë ndjeshëm distancën mes kryeqytetit grek dhe kufirit shqiptar. Sipas pamjeve të transmetuara nga mediat greke, kompanitë ndërtuese kanë filluar punimet e para përgatitore, të cilat përfshijnë pastrimin dhe largimin e bimësisë, si dhe punimet fillestare të dheut.

Aksi rrugor do të përfundojë afërsisht për 4 vite e gjysmë.

Ai është vazhdim i Autostradës Jonike nga Athina deri në kufirin greko-shqiptar në zonën e Kakavisë, duke kaluar nëpër prefekturën e Janinës. Konsiderohet si boshti vertikal më perëndimor i Autostradës Egnatia dhe është pjesë e Rrjetit kryesor Trans-Evropian të Transportit.

Projekti përfshin dy seksione:

1) Seksioni Janinë – Kalpaki: Ka një gjatësi totale prej 46.4 km me një shtrirje të re dhe gjashtë kalime në nivel (Kosmira, Asvestochori, Gramenochori, Pasaena, Zitsa dhe Karyo)

2) Seksioni Kalpaki – Kakavia. Përfshin 23.1 km dhe përfundon në stacionin kufitar të Kakavisë.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *