28 Mars, 2026

“A ju ka rënë në sy që çmimet e disa ilaçeve janë shumë të shtrenjta?” Përgjigja e ministres të lë vërtetë pa fjalë!

 “A ju ka rënë në sy që çmimet e disa ilaçeve janë shumë të shtrenjta?” Përgjigja e ministres të lë vërtetë pa fjalë!

Dorin Xhima

Në një vend ku pensionistët numërojnë qindarkat për të blerë ilaçet dhe ku familjet e thjeshta zhyten në borxhe për të përballuar një kurë jetike, apo një operacion pritet që njeriu që drejton shëndetësinë të ketë të paktën një dozë ndjeshmërie.

Por, ajo që dëgjuam së fundmi në studion e Blendi Fevziut, nuk ishte thjesht mungesë informacioni. Ishte një shuplakë cinizmi ndaj çdo shqiptari.

Pyetjes direkte: “A ju ka rënë në sy që çmimet janë shumë të shtrenjta, disa ilaçe?”, Ministrja e Shëndetësisë iu përgjigj me një sinqeritet tronditës:

​”Nuk e kam vënë re, sepse nuk kam pasur nevojë për ilaçe.”

Kjo fjali përmbledh në pak fjalë hendekun e madh mes elitës qeverisëse dhe realitetit. Sipas kësaj logjike, nëse Ministri i Transportit nuk udhëton me autobus, ai nuk ka pse ta dijë që biletat janë shtrenjtuar. Nëse Ministri i Bujqësisë nuk del vetë në treg, ai nuk ka pse shqetësohet për çmimin e bukës.

Ministria e Shëndetësisë nuk është një post për të treguar shëndetin personal të titullarit. Është posti ku duhet të monitorohet sa i kushton mbijetesa një qytetari. Kur Ministrja thotë se “nuk e ka vënë re”, ajo pranon hapur se jeton në një flluskë.

​Qeveria “pa nevojë” e një populli me shumë nevoja

Në Shqipëri, çmimet e ilaçeve janë shpesh më të larta se në vendet e rajonit, e madje edhe më shtrenjtë se në vendet e Bashkimit Evropian, ku pagat janë disafishi i tonave. Për shumë shqiptarë, zgjedhja mes ushqimit dhe medikamenteve është një dilemë e përditshme.

Të thuash “nuk kam pasur nevojë për ilaçe” ndërkohë që drejton dikasterin që duhet të garantojë rimbursimin dhe kontrollin e çmimeve, tregon një shkëputje totale nga detyra.

Përgjigja e ministres nuk të lë “pa fjalë” sepse ajo është e shëndetshme, por sepse tregon se dhimbja e tjetrit nuk figuron në axhendën e saj.

Nëse ministrja nuk e ka vënë re shtrenjtimin e ilaçeve, mbase është koha që ajo të dalë nga makina zyrtare dhe të presë në radhë në një farmaci lagjeje. Aty do të dëgjojë aritmetikën e vërtetë të shqiptarëve.

Deri atëherë, shëndeti i ministres mbetet i mirë, por shëndeti i sistemit tonë mbetet në terapi intensive, i goditur veç të.tjerave, edhe nga indiferenca e atyre që duhet ta shëronin.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *