28 Mars, 2026

A ekzistojnë jashtëtokësorët? Deklarata e Barack Obamas trazon rrjetin

 A ekzistojnë jashtëtokësorët? Deklarata e Barack Obamas trazon rrjetin

Një deklaratë e ish-presidentit të SHBA-së, Barack Obama në lidhje me ekzistencën e UFO-ve ka shkaktuar reagime të shumta.

Kjo, pasi gjatë një podcast-i, ai iu përgjigj “po” pyetjes nëse jashtëtokësorët apo alienët janë të vërtetë.

Gjatë intervistës me komentatorin politik Brian Tyler Cohen, Obama u pyet drejtpërdrejt: “A janë të vërtetë jashtëtokësorët?”. “Janë të vërtetë, por nuk i kam parë”, u përgjigj ai, duke buzëqeshur.

Madje, si për të shtuar më shumë mister, ish-presidenti shtoi: “Nuk i fshehim në Area 51. Nuk ka ndonjë bazë nëntokësore, përveç nëse ekziston ndonjë komplot gjigant dhe po e fshehin edhe nga vetë presidenti i SHBA-së”.

I pyetur se cila ishte pyetja e parë që bëri sapo mori detyrën në Shtëpinë e Bardhë, Obama u përgjigj me humor: “Ku janë jashtëtokësorët?”.

Deklarata e tij u pasua nga një valë artikujsh me tituj sensacionalë si: “Ish-presidenti i SHBA-së thotë se jashtëtokësorët janë të vërtetë” apo “‘Janë të vërtetë’: deklaratat tronditëse të Obamës”.

Revista prestigjioze Time shkroi: “Obama thotë se jashtëtokësorët janë të vërtetë, por nuk ndodhen në Area 51”.

Pas bujës së krijuar, Barack Obama reagoi me një deklaratë sqaruese në Instagram, mbrëmjen e së dielës.

“Po përpiqesha të ruaja frymën e një ‘raundi të shpejtë’ me pyetje-përgjigje, por meqë kjo çështje mori vëmendje, le ta sqarojmë. Statistikisht, universi është aq i madh sa gjasat që të ketë jetë diku tjetër janë të konsiderueshme.

Por distancat mes sistemeve diellore janë aq të mëdha sa gjasat që jashtëtokësorët të na kenë vizituar janë të vogla. Gjatë presidencës sime nuk pashë asnjë provë që ata kanë rënë në kontakt me ne. Vërtet!”, shkroi ai.

Teoritë e konspiracionit prej vitesh pretendojnë se qeveria amerikane fsheh prova për jashtëtokësorë në Area 51, një bazë tepër sekrete e Forcave Ajrore në Nevada.

Megjithatë, dokumente të publikuara në vitin 2013 treguan se zona është përdorur për testime sekrete të programeve ajrore të qeverisë amerikane, përfshirë avionët e mbikëqyrjes U-2 dhe Oxcart.

Sipas dokumenteve, fluturimet në lartësi të mëdha të avionit U-2 çuan në një rritje të ndjeshme të raportimeve për objekte fluturuese të paidentifikuara (UFO), duke ushqyer edhe më tej misterin ndër vite.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *