18 Nëntor, 2026

Fatos Tarifa me tumor, kalon një ndërhyrje të vështirë kirurgjikale

 Fatos Tarifa me tumor, kalon një ndërhyrje të vështirë kirurgjikale

Nga Adrian Thano

Fatos Tarifa është diagnostikuar me tumor dhe sapo ka kaluar një ndërhyrje të vështirë kirurgjikale. Ditë që peshojnë për të, familjen e tij, për këdo që ka pranë në këtë jetë.

Mua, e qeshura me të cilën ma tha sëmundjen e tij rreth dy javë më parë dhe mënyra si e ka përballuar ditët në vijim, më ka lënë pa fjalë. Përpara se të hynte në sallën e operacionit, por edhe pasi doli prej saj, flet sikur të jetë duke luftuar gripin e jo kancerin. Një forcë karakteri që nuk e ndali as bisturia. Shkruan e prapë shkruan, duke sfiduar këshillat për t’u marrë me shëndetin.

Jetojmë kohë të turbullta, ku fjala publike matet me kandarët e interesit. Në këtë pafundësi zhurme, Fatos Tarifa është një nga zërat më kurajozë, nga të paktët intelektualë vërtet të majtë, familjarisht, në formim dhe në bindje, që nuk ka ngurruar t’i thotë disa të vërteta të hidhura që edhe të tjerë i dinë.

I dinë, por kanë zgjedhur për turp t’i heshtin, nga frika apo komoditeti.

Këto të vërteta të thjeshta, po kaq të vështira për t’u thënë, na rikujtojnë se, pavarësisht sa xhamlliqe, asfalte, vila, apo ojna luksi kemi sot për të treguar e për t’u mburrur, shoqëria jonë po bën përsëri një hap të madh pas. Të njëjtat gabime me lirinë të së kaluarës.

​Ka edhe një detaj në këtë histori, që flet më shumë se çdo fjalim për dinjitetin. Fatosi është shtruar dhe operuar në QSUNT. Aty ka padyshim edhe profesionistë shumë të zotë, por fjalën e kam për një kontrast që nxjerr në pah fytyrën e vërtetë të shoqërisë sonë.

Fatosi i sëmurë po ndan të njëjtin fat me qytetarët e thjeshtë. Mua më vjen në mend një listë e gjatë emrash, qesharakë, lëpirës të përhershëm të garuzhdes politike që bëjnë kërdi me moralin.

Me një oreks të pangopur për katandi që s’ka kurrfarë lidhje me gazetarinë, median apo interesin publik, të kujtojnë Çinçin e Gogolit, mishërim i grykësisë provinciale pa fre.

Këta rraqexhinj pa parime i thurrin lavde nëpër ekrane sistemit ku jetojmë. Por sapo u shfaqen hallet e shëndetit, braktisin “parajsën” e ia mbathin për t’u kuruar në klinikat e shtrenjta private ose të botës.

Nuk është çështja ku kurohen. Është çështja e paçavures që ke brenda, mes asaj që predikon për të tjerët dhe asaj që zgjedh për veten, kur të vjen dita e provës.

​Teksa mendoj betejën shëndetësore të Fatosit, kujtoj me dhimbje sa shumë humbje të rënda ka pësuar kjo redaksi ndër vite, mendje fisnike si Moikomi, Andrea Stefani, Arben Duka, e të tjerë, bashkëpunëtorë e njerëz të mirë që lanë pas gjurmë shpirti të papërkulur.

Falë trashëgimisë së tyre kjo gazetë modeste ka vazhduar të qëndrojë majtas dhe e lirë, pavarësisht kostove të mëdha dhe pavarësisht se jo të gjithë për momentin arrijnë ta kuptojnë peshën e kësaj qëndrese.

Revanshi i gënjeshtrës, ai marshim i egër i mediave “të mëdha” që paguhen majmërisht për ta bërë të zezën të bardhë e për ta mbajtur nën sundim mendjen e njerëzve, është sot më i pranishëm se kurrë. Pikërisht për këtë, zëra si ai i Fatos Tarifës janë të pazëvendësueshëm e të çmuar.

Redaksia i uron profesorit, mikut dhe bashkëpunëtorit tonë të palodhur shërim të shpejtë dhe rikthim të menjëhershëm aty ku e ka vendin. Me të njëjtën kthjelltësi e guxim që nuk e braktisën as në shtratin e spitalit.(Dita)

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *