4,4 hektarë tokë shtetërore në Fier u shitën për 88 mijë euro
Nga Gisela Troplini
Një sipërfaqe prej 4,4 hektarësh tokë në fshatin Povelçë të Fierit ishte regjistruar në emër të shtetasit A.P., pa dijeninë dhe pëlqimin e tij. Pasi zbuloi se figuronte si pronar i kësaj pasurie, ndonëse nuk kishte aplikuar dhe nuk dispononte asnjë dokument pronësie, ai iu drejtua organeve të drejtësisë me një kallëzim penal.
Nga hetimet e Prokurorisë së Fierit dyshohet se pas këtij regjistrimi fshihej një skemë falsifikimi dokumentesh, përmes së cilës 44.100 metra katrorë tokë shtetërore u regjistruan në emër të një familjeje dhe më pas u shitën për 88.200 euro.
Sipas organit të akuzës, për regjistrimin e pronës dyshohet se janë përdorur të dhënat e një pasurie tjetër, me sipërfaqe 4.000 metra katrorë, për të përfituar në mënyrë të paligjshme një sipërfaqe më shumë se dhjetë herë më të madhe, pa pasur një titull të vlefshëm pronësie.
Në dokumentacionin e përdorur për tjetërsimin e tokës dyshohet se përfshiheshin certifikata fiktive pronësie, kartelë e falsifikuar pasurie dhe dy prokura noteriale me nënshkrime të dyshuara si false.
Hetimet kanë zbuluar se dokumentet e pronësisë janë lëshuar më 25 janar 2023, ndërsa vetëm pesë ditë më vonë, toka është shitur te persona të tretë, të cilët synonin ndërtimin e një parku fotovoltaik.
Në këtë transaksion dyshohet se ka pasur rol edhe shtetasi D.SH., i pajisur me prokurë për të përfaqësuar familjen që figurohej si pronare e tokës. Sipas Prokurorisë, ai kishte gjetur blerësin, kishte përcaktuar çmimin dhe kishte nënshkruar kontratën e shitjes pa dijeninë e personave që përfaqësonte.
Një tjetër episod i evidentuar gjatë hetimit lidhet me përpjekjen për të tërhequr kallëzimin penal. Pas denoncimit, D.SH. dyshohet se u ka dhënë personave të dëmtuar 15 mijë euro në para në dorë, me qëllim që ata të tërhiqnin kallëzimin.
Ndërkohë, gjatë kontrollit në banesën e ish-drejtorit të Kadastrës së Fierit, Arben Voja, hetuesit kanë gjetur shtatë zarfe me para, të vendosura në një sirtar të mbyllur me çelës. Në total janë sekuestruar 31.720 euro, 608 mijë lekë, 5 mijë korona norvegjeze dhe 1.400 dollarë kanadezë.
Gjatë të njëjtit kontroll janë gjetur edhe 46 fishekë të kalibrit 7,62 mm dhe 55 fishekë për armë gjahu.
Për këtë çështje, pak ditë më parë u arrestuan ish-drejtori i Kadastrës së Fierit, Arben Voja, tre zyrtarë të tjerë dhe një notere.
Nën hetim janë D.SH., ish-kreu i Njësisë Administrative, A.V., ish-drejtori i Kadastrës së Fierit, F.B., specialist jurist, A.J., specialiste hartografe, si dhe një notere. Ata dyshohen, në varësi të rolit të secilit, për mashtrim me pasoja të rënda, falsifikim dokumentesh, shpërdorim detyre dhe pastrim të produkteve të veprës penale.