16 Nëntor, 2026

Antiterrori shpall në kërkim Gent Prognin. Aktivisti: Nuk dorëzohem

 Antiterrori shpall në kërkim Gent Prognin. Aktivisti: Nuk dorëzohem

Gent Progni, një nga organizatorët e protestës para Kryeministrisë, është shpallur në kërkim nga Policia e Shtetit.

Burimet bëjnë me dije se rasti po ndiqet nga strukturat e Antiterrorit, mbi dyshimin se Progni ka bërë thirrje për sulme ndaj institucioneve, zyrtarëve, drejtuesve dhe oficerëve të policisë.

Sipas të njëjtave burime, policia ende nuk e ka arrestuar. Progni tha se kishte marrë vesh rastësisht se po kërkohej dhe se kishte vendosur të mos dorëzohej.

“Po, e kam marrë vesh shumë rastësisht dhe kam vendosur të mos dorëzohem, pasi janë akuza politike dhe jo penale”, tha Progni për “MaShqip”.

I pyetur nëse kishte marrë azil jashtë vendit, Progni tha se ndodhet ende në Shqipëri dhe se po pret që avokatët e tij të mësojnë se çfarë i atribuohet konkretisht.

Ai pretendoi se policia po përdoret nga politika dhe nga njerëz të biznesit që, sipas tij, kanë përfituar nga shteti dhe që ai i ka denoncuar publikisht gjatë protestave.

Progni ka qenë ndër zërat më aktivë të protestës para Kryeministrisë, ku ka përmendur me emra biznesmenë, pronarë mediash dhe zyrtarë, duke pretenduar se kanë përfituar në mënyrë të paligjshme. Në raste të mëparshme ai është shoqëruar, marrë në pyetje dhe më pas është lënë i lirë.

Këtë herë, sipas burimeve, ndaj Prognit është bërë shpallja në kërkim. Mbetet për t’u sqaruar se cilat deklarata konkrete policia i konsideron thirrje për sulme dhe nëse ndaj tij ka një urdhërarrest.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *