16 Nëntor, 2026

Shkrimtari që tronditi letërsinë – Çfarë thanë për Dostojevskin mendjet më të ndritura të historisë së letërsisë

 Shkrimtari që tronditi letërsinë – Çfarë thanë për Dostojevskin mendjet më të ndritura të historisë së letërsisë

Pak shkrimtarë e kanë tronditur universin letrar ashtu si Fjodor Dostojevski. Filozofët e pagëzuan profet; romancierët e quajtën një forcë shpërthyese. Hemingueji pyeste veten me habi se si mund të shkruante dikush “aq keq”, e megjithatë të depërtonte deri në palcë.

Ja se si e panë Dostojevskin mendjet më të ndritura të historisë:

Fridrih Niçe

“Dostojevski ishte i vetmi psikolog prej të cilit kisha vërtet çfarë të mësoja: ai radhitet ndër dhuntitë më fatlume të jetës sime, madje edhe më lart se zbulimi i Stendalit.”

(Perëndimi i idhujve, 1889)

Virxhinia Ullf

“Përtej Shekspirit, nuk ka lexim më dehës… Romanet e Dostojevskit janë vorbulla që vlojnë, stuhi rëre që vërtiten, shakullima uji që fërshëllejnë, ziejnë dhe na përpijnë. Ato janë të brumosura pastërtisht dhe tërësisht nga lënda e shpirtit.”

(Lexuesi i zakonshëm, 1925)

Leon Tolstoi

Kur mësoi për ikjen e Dostojevskit në vitin 1881, bashkëkohësi i tij më i madh rus shkroi:

“Nuk e pashë kurrë atë njeri dhe nuk pata asnjë lidhje të drejtpërdrejtë me të, e papritur, kur vdiq, kuptova se ai kishte qenë njeriu më i afërt, më i shtrenjtë dhe më i domosdoshëm për mua… Gjithçka që ai bënte ishte e tillë që, sa më shumë krijonte, aq më mirë ndihesha unë. E quaja mikun tim.”

Franc Kafka

Në letrat e tij drejtuar Max Brod-it dhe Felice Bauer-it, Kafka e radhiste shpesh Dostojevskin përkrah Kleist-it dhe Flaubert-it si farefisin e tij të vërtetë shpirtëror:

“Janë katër burra që i ndiej si të afërm të gjakut tim: Grillparzer, Dostojevski, Kleist dhe Flaubert.”

Alber Kamy

“Profeti i vërtetë i shekullit të XIX nuk ishte Karl Marksi, por Dostojevski.”

Më vonë, Kamy e përshtati romanin Demonët (Të pushtuarit) për skenën teatrore dhe u njohu personazheve të Dostojevskit (veçanërisht Kirillovit dhe Ivan Karamazovit) meritën e hedhjes së gurëve të themelit për filozofinë moderne të absurdit.

Xhejms Xhojs

“Ai është njeriu që, më shumë se kushdo tjetër, ngjizi prozën moderne dhe e ndezi atë deri në kulmin e saj të sotëm. Ishte pikërisht fuqia e tij shpërthyese ajo që thërrmoi romanin viktorian me vashat e tij të ndrojtura dhe rregullat e rëndomta.”

Ernest Heminguej

“Si mund të shkruajë një njeri kaq keq, kaq paimagjinueshëm keq, e megjithatë të të bëjë të ndjesh kaq thellë?”

(Një festë e lëvizshme)

Proza e tij ishte e trazuar, e etshme dhe e ngutshme. Por ai e rroku fajin, besimin, çmendurinë dhe shpengimin më thellë se pothuajse kushdo që ka mbajtur ndonjëherë një penë në dorë.

Përgatiti: Albert Vataj

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *