Postoi video majë makinës, Policia “këput në mes” gazetaren e njohur
Policia e Korçës ka ndëshkuar me masë administrative makinën me të cilën lëviz gazetarja Ledjona Xheladinaj, pas publikimit të një videoje në Instagram, ku shfaqet duke qëndruar në këmbë mbi një automjet në lëvizje.
Sipas njoftimit të policisë, pronari i automjetit, shtetasi L. B., është ndëshkuar me gjobë prej 9 mijë lekësh, si dhe me tërheqjen e lejes së drejtimit.
Nga një verifikim në profilin privat të gazetares në Instagram, rezulton se vetë ajo ka publikuar një video ku shfaqet duke qëndruar mbi automjet teksa është në lëvizje. Gjithashtu, gazetarja ka publikuar edhe një fotografi, të cilën e ka shoqëruar me mbishkrimin: “E kanë fajin ëndrrat, jo unë”.
Njoftimi i Policisë:
Reagim i Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë
Në lidhje me një video të postuar në rrjetin social “Instagram”, në të cilën shfaqet një shtetase që qëndron në këmbë mbi një automjet në lëvizje, bëjmë me dije se:
Pronari i automjetit që shfaqet në video, shtetasi L. B., është ndëshkuar me masa administrative 9 000 lekë dhe tërheqje të lejes së drejtimit, bazuar në pikën 3 të nenit 126, pikën 9 të nenit 167, pikat 1 dhe 8 të nenit 170 dhe pikën 1 të nenit 117 të Kodit Rrugor.
Drejtoria Vendore e Policisë Korçë fton qytetarët që të denoncojnë në numrin 112 ose në strukturat e Policisë, çdo rast të shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor dhe të paligjshmërive, duke i garantuar se do të reagojë menjëherë dhe konform ligjit.