Një letër malli, për shoqen time të fëmijërisë Xhuljeta Kulla
Nga Olimbi Dafa
E kush nuk e njeh shoqen time të fëmijërisë, aktoren e talentuar Xhuljeta Kullën, e cila bëri emër me artin e saj të bukur që dukej se për të pat ardhur në dritë?!…
Xhuli lindi në Berat. Fëmijërinë e hershme e kaloi në Kuçovë, atëherë kur qyteti ynë mbante emrin e Stalinit. E sjellin ndërmend si një vajzë të bukur, me flokë kaçurela të verdha. Ne shoqet e donim shumë, sepse Xhuli ishte e çiltër, e sjellshme, bujare, e zgjuar. Në shkollë dallohej si një nxënëse që shkëlqente në mësime përveç pastaj, që nuk u ndahej aktiviteteve kulturore: vallëzonte, recitonte luante skeçe humoristikë, nëpërmjet të cilëve shfaqte talentin e saj, atë talent që nuk ka të perënduar edhe tani, kur ajo i ka kaluar të shtatëdhjetat dhe korr ende duatrokitje të shumta .
Ishin ato, duartrokitjet e para të kuçovarëve, të cilat e nxitën dhe mjaftonin për të shtyrë një fëmijë drejt rrugës së magjishme të artit. Ajo kishte ëndrra dhe dëshira për të vazhduar shkollimin në atë fushë, ndaj vendosi të shkonte, adoleshente ende, tek tezja e saj në Tiranë duke dëgjuar zërin e shpirtit për t’u bërë aktore. U regjistrua në liceun artistik e më tej përvijoi në “Universitetin e Arteve “. Aty, në fakultetin e dramës, Xhuljeta jonë u shqua mes talenteve të shumtë që hodhën shtat në skenat dhe auditoret e shkollës. Ajo vetë kulmoi në rolin e protagonistes Katerinë , tek komedia e Shekspirit “Zbutja e kryeneçes “, rol me të cilin ajo mbrojti shkëlqyeshëm diplomën.
Ishte në mes të këtyre viteve studentorë të Institutit të Arteve, kur shoqja ime pati rastin të njohë Pëllumb Kullën, me të cilin më pas bashkuan fatet dhe gëzuan një jetë të tërë sukseset e tyre: ai, si regjisor i shquar dhe shkrimtar nga më të mirët e letërsisë skenike dhe ajo që pasuronte parreshtur albumin e figurave të saja mbresëlënëse.
Ata u bashkuan në martesë në qytetin e Vlorës, ku Xhuli vinte pas një përvoje dy vjeçare në skenën e Beratit. E mirëpritur në teatrin e qytetit të magjishëm bregdetar, ajo shënoi menjëherë dy suksese të paharrueshëm, siç mbahen mend, ai i vajzës në “Dasëm pa Nuse”, një komedi pikante e Naum Priftit dhe roli tjetër, ai i gruas ruse që fliste shqipen me aksentet e rusishtes, në dramën “Sinjali i Kuq” të Bashkim Kozelit.
Por do të ishte transferimi në Fier i familjes Kulla, që i solli Xhuljetës vitet e arta në teatrin dhe estradën e atjeshme. Debutimi i saj qe në një rol kryesor, që regjisori Leka Bungo i besoj në çfaqjen e saj të parë e pastaj erdhën radhë angazhimet, si në teatër ashtu edhe në trupën e varietesë. Ishte i frutshëm bashkëpunimi i saj me artistë që lumturuan historinë e skenës fierake. Kolegët e mrekullushëm që ajo gjeti aty do t’i ëndërronte çdo artist, sepse do t’u takonte të luanin me Luftar Pajën, me Fatos Selën, Fuat Boçin… Për cilësinë letrare të repertorit kujdeseshin mjeshtra të shquar të penës, Teodor Laço dhe Maku Pone. Mbarësia nuk jepte shenja të shterronte pasi dhe ardhjet e reja bënë emër, si Hajrie Rondo, Ilir Bezhani, Natasha (Ndreko) Sela, Roland Roshi… Dhe kur Xhuli u përqendrua në trupën e humorit, u gjend atje mes rrethit të përbërë nga Todi Llupi, Hasan Bregu, Arqile Lipe, Fatmir Xhelili, Sotir Stefa, dhe u kurorëzua aktorja bazë e kësaj estrade, aq sa ngrohtësisht atëe quajtën “Borëbardha mes shtatë vëllezërve”!
Në favor të saj mund të shënohet edhe një stinë e gjatë dhe e begatë krijimtarie e të shoqit, Pellumbit. Kështu mund të përmendim që artistja jonë u shpall laurate e Festivalit Kombëtar të Estradave (1973) që u zhvillua po në Fier. Aty Xhuljeta shkëlqeu në skeçin “Kultura që Duket” dhe sidomos në figurën tërheqëse të Gjyshes, tek komedijza e Spiro Çomorës “Snobizmi”.
Emri i artistes tonë u bë gjithnjë e më i njohur teksa merrte pjesë në spektaklet e fundviteve që përgatiste Televizioni Shqiptar nga 1975 deri në 1993. Ishin të shumta komedijzat gazmore dhe monologët ku luante Xhuli. Janë gati të panumërt, por unë do të mjaftohem duke kujtuar dy a tri prej tyre, që shfaqen shpesh edhe në këta dhjetëvjeçarët më pas. Ja: nuk harrohet biseda telefonike e asaj vajzës që fliste me dashnorin e radhës tek telefoni i komshiut… As ajo doktoresha e specializuar për fëmijët nga 5 deri 55 vjeç… Apo ajo nusja e merakosur që për të eliminuar rudhat rreth gojës, apo për të ruajtur makijazhin ushqehej vetëm me serume para se të shkonte në derë të burrit…
Regjisorët që punuan me këtë artiste dhe me shokët e saj,
ishin të prirur tek loja realiste me karakter njerëzor e larg banaliteteve, largësi që ofronte materiali letrar i një niveli të lartë dhe me tema peshërënda. Dukej si një program pedagogjik platforma që aplikoi regjisori Pëllumb Kulla, të cilit pas ca vitesh do t’i besohej në Tiranë posti i dekanit në fakultetin teatror të Universitetit të Arteve. Por, ama, të njëjtën brumosje patën edhe regjisorët e tjerë, Roland Roshi, Arqile Lici dhe Arqile Garo që i bashkonte dashuria për atë lloj loje.
Vlend të përmend që Xhuli edhe me regjisor Garon që inskenoi në Fier komedinë greke “Një budalla e gjysëm” arriti një sukses mbresëlënës në rolin e të shkathtës Urani.
Me lotë malli u nda Xhuljeta Kulla nga “punishtja e buzëqeshjeve” që la në teatrin fierak, kur asaj do t’i duhej të ndiqte bashkëshortin në shërbimin diplomatik në Gjermani dhe ShBA. Ama duhet thënë se ajo u nda nga Fieri dhe RTSh-ja, por aspak tërësisht nga skenat dhe shfaqjet që sajonin sëbashku artistët tanë të shumtë, emigruar në këta dy shtete të mëdhenj të botës. Për këtë, në fund të vitit 1995 në Nju Jork City, Xhuljeta shpallet “Gruaja e Vitit” nga shoqata “Motrat Qiriazi” që mblidhte si anëtare gratë shqiptare të hapësirave amerikane. Presidentja Anna Kohen i dorëzoi artistes dekoratën duke i vënë në dukje veprimtarinë patriotike dhe veçanërisht angazhimin tok me Koço Devolen, Brunën dhe Ferit Hoxhën, Frederik Ndocin, Zef Mosin, Enver Petrovcin në koncertet nëpër shtetet e ndryshëm të Amerikës si Nju Jorku vetë, pastaj Bostoni, Çikago, Filadelfia e plot të tjerë deri në Kanada.
Vlerësimi më lart më jep shkasin të përmend ca nga dekorimet dhe vlerësimet e mara në vite edhe para vendosjes së saj përfundimisht në Floridën djellëshumë, ku jetojnë miqtë tanë. Më i fundit ishte vitin që shkoi, kur Kryeministri Rama e nderoi Xhuljeta Kullën me Çertifikatën e Mirënjohjes në kuadrin e vlerësimit “Më të Mirët e Më të Mirëve”
Pa përmendur vlerësimet në festivale, do të renditja dekorimin me “Naim Frashërin e Artë” dhënë nga Presidenti Bamir Topi në përvjetorin e dyzetë të teatrit Bylis; shpalljja “Qytetare Nderi” e Fierit dhe e qytetit të vogël të Roskovecit; “Çmimin e Madh të Karrierës” nga shoqata “Pena e Artë”; titulli “Ambasadore e Paqes” dorëzuar nga shoqata globale ndërkombëtare me qendër në Nju Jork…
Arritjet e Xhulit janë pjella të talentit të saj por nuk kemi se si të mos shohim hera herës edhe pak Pëllumb në brendësi të tyre. Ashtu si padyshim kanë pak aromë bashkëshorteje librat e shkrimtarit tonë, shokut të jetës. Është endje e këndëshme përfytyrimi i këtij bashkëpunimi gjithëjetësor. Nuk mund të mos jetë ideja e Xhulit për monologun “Një rrip si ditar” ku ajo lexon jetën e tyre në vrimat e rripit të pantallonave të burrit. Dhe për shkak të këtij bashkëpunimi të afërt në familjen Kulla, asnjë artiste nuk shfaqet dot me aqë shumë monologë, sa numëron repertori i Xhuljeta Kullës.
Dhe nuk rri dot pa qeshur sa herë e kujtoj atë tregimin, në të cilin Pëllumbi flet për rolin e madh të grave në jetët e burrave të tyre. Xhulit gjatë interpretimit të këtij monologu, do t’i ketë lindur ideja të shtojë në fund: “….Por gratë e gjora, nganjëherë, janë ca të drojtura, të turpshme dhe kokunjura. Nuk duan të duken, të gjorat. Si unë, përshembull! Unë shkruaj, libra, komedi, tregime, por më vjen zor dhe turp të dal me emrin tim të vërtetë. I botoj dhe i shfaq veprat, me pseudonimin …Pëllumb Kulla!”
Xhuli është një aktore me botë të madhe, e thjeshtë, inteligjente me personalitet, modeste. Talentin e saj të spikatur, ajo e vuri në shërbim të shoqërisë me ato interpretime të holla, të mprehta. Interpretimi i saj është brilant e të bën menjëherë për vete. Asaj i flet syri, mimika e fytyrës . Duhet energji për të artikuluar fjalën, mbështetje, nxitje, durim, të cilat Xhuli i ka. Loja e saj mbjell sinqeritet, ndaj ajo është e besueshme. Fjalës së saj i përgjigjet buzëqeshja, dashuria e spektatorëve. Këto çfaqje janë ngulitur në kujtesën e njerëzve dhe kujtohen me shumë dashuri per mesazhet e rëndësishëm që përcjellin. Disa njerëz bëhen te suksesshëm, pasi i ka përkëdhelur fati, por shumica bëhen ashtu, pasi punojnë shumë, për t’u bërë. Xhuli me punën e saj është një shembull për ilustrim.
Edhe pse është larg, në Amerikë, shoqja ime ka marrë me vete aromën e vendit të saj, tok me kujtimet më të bukura. Ndaj ia shohim të ndezur mallin për atdheun. Malli është një prush që shuhet bashkë me jetën. Malli është ajo nevojë shpirtërore që na i sjell artistët në vendin ku u lindën.
Malli bën çudira…. Edhe këtë shkrim modest malli e solli në dritë. Ndaj u ula të them ca fjalë për shoqen time të fëmijërisë.