“Edhe nënën e ndjerë s’e nxorëm dot me arkivol” – Vëllezërit nga Gjirokastra ankohen për rrugën, fqinji i pengon
Dy vëllezër nga Gjirokastra, Afrim dhe Feim Beqiri, kërkojnë ndihmë për një problem që i shqetëson prej vitesh: rrugën e ngushtë që lidh banesat e tyre me pjesën tjetër të zonës. Ata pretendojnë se shkak i kësaj situate është fqinji i tyre, Vasil Çekani, i cili punon në Policinë Bashkiake dhe nuk lejon zgjerimin e rrugës.
Vështirësitë janë bërë të përditshme për familjen, pasi hapësira e kufizuar ua vështirëson edhe veprimet më të zakonshme. Sipas tyre, problemi nuk lidhet vetëm me transportimin e sendeve, por edhe me aksesin e vështirë në banesa, pasi hyrjet e tyre ndodhen nga pjesa e sipërme e terrenit.
Nga ana tjetër, fqinji Vasil Çekani mohon të jetë ai pengesa për zgjerimin e rrugës. Ai deklaron se çështja varet nga institucionet. Çekani pranon se ka bërë kallëzim, duke kërkuar që të verifikohet situata në terren, dhe kundërshton pretendimet e vëllezërve Beqiri, të cilët, sipas tij, e fajësojnë atë në çdo institucion.
Pas interesimit tonë, nënkryetarja e Bashkisë Gjirokastër, Amarilda Lelaj, bëri të ditur se i është drejtuar Agjencisë Shtetërore të Kadastrës për të sqaruar statusin juridik të terrenit ku kërkohet ndërhyrja. Ajo u shpreh se, pavarësisht rezultatit të verifikimeve, Bashkia do të ndërhyjë për të gjetur një zgjidhje për zgjerimin e rrugës.