3 Nëntor, 2026

Ish-kryebashkiaku i Nju Jorkut në Tiranë, pritet të emërohet këshilltari i Edi Ramës

 Ish-kryebashkiaku i Nju Jorkut në Tiranë, pritet të emërohet këshilltari i Edi Ramës

Ish-kryebashkiaku i Nju-Jorkut, Eric Adams, është parë këtë të hënë në një prej hoteleve në qendër të Tiranës.

Prania e tij në kryeqytetin shqiptar vjen në një moment kur emri i tij lidhet gjithnjë e më shumë me Shqipërinë, ndërsa ende nuk dihet zyrtarisht se cili është qëllimi i vizitës së tij të fundit.

Burime për Bufiurte.al bëjnë me dije se Adams pritet të marrë një post të rëndësishëm në administratën e kryeministrit Edi Rama, konkretisht atë të këshilltarit të kreut të qeverisë. Deri më tani nuk ka një njoftim zyrtar për këtë angazhim dhe as detaje mbi fushën ku ai mund të kontribuojë.

Eric Adams ka krijuar një marrëdhënie të veçantë me Shqipërinë, kryesisht përmes komunitetit shqiptar në Nju-Jork, të cilin e ka mbështetur vazhdimisht gjatë karrierës së tij politike.

Në tetor të vitit 2025, atëherë në përfundim të mandatit si kryebashkiak, Adams vizitoi Shqipërinë dhe u prit nga kryeministri Edi Rama. Gjatë takimit u diskutua për turizmin, investimet, teknologjinë dhe mundësinë e vendosjes së një linje të drejtpërdrejtë ajrore mes Tiranës dhe Nju-Jorkut.

Në prill të vitit 2026, Adams mori edhe nënshtetësinë shqiptare, pas dekretit të firmosur nga Presidenti Bajram Begaj, duke u bërë një prej figurave të njohura amerikane që kanë marrë shtetësinë shqiptare.

Por marrëdhëniet e Adams nuk kufizohen vetëm me Shqipërinë.

Gjatë karrierës së tij politike ai ka ndërtuar lidhje të forta me komunitetin hebre në Shtetet e Bashkuara dhe ka qenë një prej mbështetësve të deklaruar të Izraelit. Në vitin 2023 vizitoi Izraelin, ndërsa në nëntor 2025 u takua me kryeministrin Benjamin Netanyahu dhe presidentin Isaac Herzog. Ky i fundit e cilësoi Adams një mik të afërt të Izraelit dhe të popullit hebre.

Adams ka shprehur gjithashtu interes për bashkëpunimin me Izraelin në fushën e teknologjisë dhe sigurisë, ndërsa ka mbajtur qëndrime publike kundër antisemitizmit.

Një tjetër lidhje e tij ndërkombëtare është ajo me komunitetin e Azerbajxhanit. Në vitin 2018, gjatë një aktiviteti kushtuar këtij komuniteti, ai deklaroi se pas tërheqjes nga politika dëshironte të jetonte në Baku.

Tashmë, pas largimit nga drejtimi i bashkisë së Nju-Jorkut dhe marrjes së nënshtetësisë shqiptare, mbetet për t’u parë nëse Eric Adams do të ketë një rol të ri në institucionet shqiptare dhe çfarë përgjegjësish do të përfshijë angazhimi i tij pranë kryeministrit Edi Rama.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *