Një parti plakaruqe, pa rini dhe me një pensionist në krye: Çfarë kërkon PD në protestë?
Një parti plakaruqe në çdo aspekt; pa rini, pa freski, e destinuar për azil
Në kulmin e protestave studentore, PD u kujtua se ekzistonte dhe se duhej të ekzistonte. E zhytur në një degradim të thellë, në një gjendje të mjerë që as në ‘97-ën nuk e ka përjetuar, kjo forcë e atrofizuar tërësisht prej njeriut që e ka ende në krye dhe që i ka dhënë fytyrën, shpirtin dhe gjuhën e tij të plakur, tashmë po rreket, si gjithnjë shëmtueshëm, t’i imponohet një realiteti të ri politik ku fjalën kundër qeverisjes e ka rinia, ajo studentore, e cila nuk e honeps as Berishën pos Ramës dhe që ka trashëguar slloganin e flamingove “Rama në burg, Berisha në burg”.
Në mesjavë, PD e ndezi sërish parlamentin, prirë nga grusht tuhafësh në politikë; tashmë po tenton dhe rrugën, duke iu hyrë në hise studentëve.
Po pse po proteston?!
Nëse është për gjuhën e dhunës së qeverisë, është e deligjitimuar. Ajo vetë ka vrarë katër protestues. Nëse është për keqqeverisjen, po ashtu nuk ka liegjitimitet. Rol në këtë Shqipëri për të vënë kujën për shumëçka ka dhe ajo për aq sa ka (keq)qeverisur.
Po ashtu ka dhe “konflikt interesi” kur proteston, pasi thjesht aspiron të vijë në pushtet. Asaj i takon të protestojë vetëm nëse i janë shkelur apo cenuar të drejtat e saj kushtetuese. Vetëm kaq. Përndryshe, protestat e saj janë po aq të neveritshme sa qeverisja.
Në një tjetër këndvështrim, PD duhej të ishte sot tërësisht reformuar, e rinuar, në njerëz, ide e praktika politike. Kjo do ishte dialektika e saj. Fakti që nuk ka ndodhur e bën të papranueshme për masën e njerëzve që duan tjetër lloj qeverisjeje dhe fundin e kësaj që vijon ende e nuk dihet se kur do shporet me të gjitha paudhësitë e saj të paimagjinueshme. Kjo PD që është një fatkeqësi kombëtare, po si qeverisja e PS-së.
Vërejeni: akuzon, proteston, qan, qurravitet, pa patur asnjë mendim politik, pa ofruar asnjë risi ligjërimore, pa ndërtuar tjetër vizion e pa ofruar të tjerë emra e të tjera oferta politike. Një plakaruqe me një plak mbi krye që jo vetëm nuk josh, por është e destinuar për azil. Parë madje kështu të ngjall mëshirë, si çdo i moshuar në azil.