Çau malin për t’iu çuar rrugën banorëve të një fshati, kryebashkiaku i Memaliajt: Zoti i sheh padrejtësitë që po na bëjnë, nuk na kanë dhënë asnjë fond
Kryebashkiaku i Memaliajt, Albert Malajt, ka postuar fotot nga rruga e fshatit Rabie, për të cilën thotë se e kishte sfidë personale.
Ai thotë se Bashkia Memaliajt të gjitha rrugët i ka ndërtuar me fondet e veta, pasi shteti e ka lënë në mëshirë të fatit.
“Rruga e Rabies ishte një ndër sfidat e mia personale, ku duhej të çahej mali për të ndërtuar rrugën drejt atij fshati të harruar dhe të braktisur nga të gjitha sistemet.
Kur e nisëm këtë punë, banorët e zonës më thoshin: “Këtë rrugë nuk e bëri dot as sistemi i Enver Hoxhës!”. Por ja që ia dolëm! Me mjetet dhe fondet e Bashkisë Memaliaj arritëm të hapim trasenë, ku lartësia e skarpatës shkoi deri në 10 metra.
Bashkia Memaliaj i ka ndërtuar dhe vazhdon t’i ndërtojë rrugët me fondet e veta, ndërkohë që në bashkitë e tjera këto investime realizohen nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit, ku tenderohen miliona euro.
Edhe në thirrjen e radhës, Fondi Shqiptar i Zhvillimit nuk i akordoi asnjë rrugë Bashkisë Memaliaj, pavarësisht se prej katër vitesh kemi aplikuar me 10 projekte.
Kuptohet, rrugët ndahen me orientim politik nga drejtuesit e qarqeve!
Ne do të vazhdojmë të punojmë me mundësitë tona, por mos harroni se Zoti është i madh dhe i sheh të gjitha këto padrejtësi që po bëni”, shkruan ai.









