5 Nëntor, 2026

Qytetari nga Tepelena, letër publike Ramës: Keni lënë rrugëve socialistët e vërtetë, nuk takojmë dot as deputetin e zonës dhe as kryetarin e Baashkisë

 Qytetari nga Tepelena, letër publike Ramës: Keni lënë rrugëve socialistët e vërtetë, nuk takojmë dot as deputetin e zonës dhe as kryetarin e Baashkisë

Nga Genc Llakaj, avokat

Letër e hapur drejtuar Edi Ramës

Zoti Rama,

Po ju shkruaj si njeri që e konsideron kritikën një përgjegjësi ndaj bindjeve të veta. Sepse vjen një çast, z. Rama  kur heshtja nuk ruan më bashkimin: ajo mbron vesin që e gërryen atë..!

Kjo letër buron nga shqetësimi për socialistët e ndershëm, për njerëzit që kanë mbajtur mbi shpinë punën politike, zhgënjimet, fushatat dhe shpresën. Ata që kanë besuar te një forcë politike për shkak të idealeve dhe që sot, për të takuar përfaqësuesit e saj, duhet të kërkojnë ndërmjetës. Habi!

Që prej vitit 1991, shumë njerëz e kanë lidhur përkatësinë e tyre socialiste me një projekt shoqëror e atdhetar: me drejtësinë sociale, arsimin, punën, solidaritetin dhe dinjitetin njerëzor. Mund të diskutohet gjatë për gabimet e drejtuesve dhe për bilancin e qeverisjeve. Por përkushtimi i atyre njerëzve meriton EDHE respekt. Ai nuk mund të fshihet sa herë ndryshon një slogan. Si mendon, z. Rama?!

Një parti ka kujtesë, ka njerëz dhe ka borxhe morale ndaj atyre që e kanë mbajtur gjallë. Apo jo?!

Këtu fillon shqetësimi im për atë që ju e quajtët me demek “Rilindje”!

Me filozofinë e kapërcimit “përtej së majtës dhe së djathtës”, në gjykimin tim, u krijua hapësirë që bindja të trajtohej si pengesë, ndërsa përshtatja me drejtuesin si meritë. Hapja mund të sillte dije, energji dhe njerëz të zotë. Por kur ajo shoqërohet me largimin ose shpërfilljen e njerëzve me karakter e mendim të pavarur, atëherë problemi kërkon emrin e vet: përzgjedhje sipas bindjes ndaj pushtetit.

Ka socialistë me shkollë, përvojë, moral dhe dinjitet që sot ndihen të tepërt në shtëpinë e tyre politike. Njerëz që dinë të argumentojnë, që kanë një profesion, që nuk e ndërrojnë bindjen sipas vendit të punës dhe që nuk e shohin politikën si shkallë për të arritur një zyrë.

Pikërisht këta shpesh bëhen të papërshtatshëm për një mjedis ku miratimi vlen më shumë se mendimi.

Njeriu me karakter mund të kundërshtojë. Njeriu me dije mund të kërkojë argument. Njeriu me dinjitet mund të refuzojë nënshtrimin. Dhe të tria këto bëhen bezdi për drejtuesin që kërkon qetësi personale në vend të debatit politik. Apo jo z. Rama?!

Ndërkohë, njeriu pa bindje përshtatet lehtë. Sot mbron një ide, nesër të kundërtën, mjafton që karrigia të mbetet në vend.Sikur djali Ferdanes, bje fjala. Apo dhe Ai i fiqve që e harroi nga erdhi!

Kur besnikëria ndaj personit shpërblehet më shumë se besnikëria ndaj parimeve, partia fillon të humbasë karakterin e vet. Si p.sh Partia Demokratike!

Zoti Rama,

Për mua, Rilindja Kombëtare ka një peshë që nuk shteron te emri i një projekti politik. Ajo lidhet me dijen, gjuhën, sakrificën dhe përpjekjen për ta ngritur një popull në vetëdije. Për këtë koncept kam shprehur mendimet e mia edhe në shkrime të viteve 2009–2010 nga të cilat, Ti vodhe idenë time te Rilindjes!

Prandaj e kam të vështirë ta pajtoj madhështinë e fjalës me vogëlsinë e disa sjelljeve që sot strehohen nën të.

Çfarë rilindjeje përfaqëson një drejtues që nuk dëgjon? Çfarë fryme të re sjell një deputet që bëhet i paarritshëm pas zgjedhjeve? Çfarë emancipimi mishëron një drejtor që e mat qytetarin me njohjet që ka?

Një emërtim i bukur nuk e fisnikëron automatikisht sjelljen e atij që e mban.

Sot, në shumë përballje me pushtetin, qytetari ndien se pyetja vendimtare është bërë: “Kë njeh?”

Ke mik një ministër? Ke lidhje me një deputet? Të mbështet dikush lart? Nëse po, dera mund të hapet. Nëse jo, prit.

Dhe socialistit të ndershëm i mbetet një zbulim i hidhur: vitet e përkushtimit nuk i vlejnë as për të marrë një përgjigje, ndërsa njohja e duhur mund të vlejë më shumë se një dosje me argumente.

Kjo është një përmbysje morale që duhet t’ju shqetësojë.

Sepse qytetari nuk duhet të paraqesë dëshmi besnikërie politike për të marrë shërbim publik. Edhe socialisti që ka punuar për fitoren tuaj nuk kërkon të marrë përparësi ndaj të tjerëve. Por ka plotësisht të drejtë të pyesë se çfarë mbeti nga idealet për të cilat u angazhua.

Përpara zgjedhjeve, disa nga këta përfaqësues shfaqin një kujtesë të jashtëzakonshme. Mbajnë mend emrin tënd, fshatin, familjen, numrin e telefonit. Pas zgjedhjeve, kujtesa pëson një dëmtim të çuditshëm.

Të njëjtët njerëz që të kërkonin në darkë për një votë, ditën nuk kanë kohë për një përgjigje.

Mesa duket, telefoni i pushtetit funksionon shkëlqyeshëm kur telefonata vjen nga sipër. Vështirësitë teknike fillojnë kur telefonon qytetari.

Kjo vlen për deputetë, ministra, drejtorë të përgjithshëm e drejtues drejtorish. Vlen veçanërisht për disa kryetarë bashkish, të cilët duket se e kanë kuptuar mandatin si një leje për t’u shkëputur nga njerëzit.

Bashkia është në mes të qytetit, por kryetari mund të jetë më i vështirë për t’u arritur se një kryetar shteti. Për një takim duhet të kalosh nga sekretaria, nga miku, nga miku i mikut dhe, mundësisht, nga dikush që ka fuqi t’ia kujtojë se qytetari ekziston.

Disa njohin çdo kënd ku fotografia del bukur, por harrojnë rrugicat ku u kërkua vota.

Fotografia tregon praninë për një çast. Qeverisja kërkon përgjegjësi çdo ditë.

Është e rëndë kur njeriu që paguan me taksat e veta zyrën, makinën dhe telefonin e drejtuesit, duhet të ndihet si bezdisës sa herë kërkon shërbimin për të cilin ato financohen.

Këtë sjellje e quaj parazitizëm politik: të ushqehesh nga besimi publik dhe të shmangësh detyrimin që lind prej tij.

Paraziti i pushtetit merr frytet e punës së të tjerëve. Socialistët e ndershëm ndërtojnë marrëdhënie, mbajnë debate, përballojnë pakënaqësi dhe bindin njerëz. Ai merr postin dhe më pas u shpjegon të gjithëve sa i rëndësishëm është.

Ka edhe nga ata që mendojnë se duke mos hapur telefonin, rrisin autoritetin. Në fakt, vetëm e bëjnë më të dukshme pasigurinë e tyre: pa distancën e zyrës, mund të mos kenë shumë për të ofruar.

Zoti Rama,

Përgjegjësia për këto sjellje është individuale. Por kur ato përsëriten dhe tolerohen, bëhen përgjegjësi e drejtimit politik. Ju keni përgjegjësi për modelin që shpërblehet, për njerëzit që ngrihen dhe për sjelljen që pranohet si normale.

Duhet t’i thërrisni mendjes për pasojat e kësaj largësie. Rrethimi me njerëz që ju japin të drejtë për gjithçka mund ta bëjë drejtimin më të rehatshëm, por ia pakëson aftësinë për të kuptuar realitetin.

Mungesa e kundërshtimit në zyrë nuk dëshmon mungesën e pakënaqësisë jashtë saj.

Unë flas hapur sepse fjala ime dëgjohet në dhjetëra komunitete dhe mbërrin te mijëra votues. Nuk pretendoj se zotëroj votat e tyre. Pikërisht për këtë e di se askush nuk mund t’i konsiderojë të garantuara.

Çfarë ndodh kur ata që bindnin të tjerët, nuk binden më vetë? Kur njeriu që mbante gjallë besimin, nuk gjen më një përgjigje për të justifikuar përçmimin?

Kritika ime synon korrigjimin brenda kësaj familjeje politike. Socialistët e ndershëm kanë të drejtë të kërkojnë që pushteti të pasqyrojë vlerat për të cilat u angazhuan. Kanë të drejtë të mos pranojnë që idealet e tyre të përdoren si dekor për karrierat e të tjerëve.

Zgjedhjet do të vijnë përsëri. Dhe do të rikthehen telefonatat, përqafimet, premtimet dhe thirrjet për bashkim.

Por bashkimi ka nevojë për respekt gjatë gjithë mandatit. Besimi kërkon përgjigje përpara se të kërkojë vota.

Socialistët e ndershëm mund të durojnë vështirësi. Nuk kanë asnjë detyrim të durojnë përçmimin.

Dhe ai që sot nuk gjen kohë të dëgjojë qytetarin, nesër mund të ketë gjithë kohën e nevojshme për të menduar për përgjigjen e tij.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *