Lidhi gruan që të shihte ndeshjen i qetë, arrestohet 64-vjeçari
Një 64-vjeçar në shtetin amerikan të Virxhinias është arrestuar pasi dyshohet se e lidhi bashkëshorten me shirit ngjitës në një karrige në bodrumin e shtëpisë, në mënyrë që të shihte futboll pa u shqetësuar.
Sipas Los Angeles Magazine, Terry Ward, banues në Richmond, u arrestua më 11 tetor dhe përballet me akuza për heqje të paligjshme të lirisë, një vepër penale e rëndë sipas legjislacionit vendas, si dhe për dhunë fizike ndaj një anëtari të familjes.
Sipas raportimeve lokale dhe dokumenteve të policisë, Ward dyshohet se e ka lidhur bashkëshorten në një karrige në bodrumin e banesës së tyre, pranë parkut Byrd, përpara se të ngjitej në katin e sipërm për të ndjekur futboll.
Policia u njoftua rreth orës 23:30 për një incident të dhunës në familje. Pas mbërritjes në banesë, efektivët morën dëshminë e gruas, e cila deklaroi se kishte qëndruar e lidhur për rreth 30 deri në 45 minuta.
Sipas raportit policor, në krahët e saj u konstatuan shenja fizike dhe mbetje të shiritit ngjitës.
Në kallëzimin penal thuhet se 64-vjeçari e ka pranuar përpara policisë se e kishte lidhur bashkëshorten në karrige dhe e kishte vendosur në bodrum.
“Terry deklaroi se e kishte lidhur vërtet bashkëshorten në një karrige dhe e kishte vendosur në bodrum”, shkruhet në dokumentin e cituar nga media amerikane.
Ward përballet me procedim penal për heqje të paligjshme të lirisë dhe dhunë në familje. Akuzat mbeten për t’u shqyrtuar nga drejtësia.