Makina shpërtheu në flakë pranë tunelit, ja kush është shoferi 37 vjeçari nga Saranda që ndërroi jetë
Maridon Dhuli, i riu nga fshati Fterrë, ka ndërruar jetë mesditën e kësaj të enjte në Spitalin Universitar të Traumës. Ai mbërriti me urgjencë nga Saranda, ku u trajtua në orët e vona të mbrëmjes pasi kishte pësuar djegie të shkallës së tretë.
Mjeti me të cilin ai udhëtonte në aksin Kardhiq–Delvinë, pranë Tunelit të Skërficës, një Volkswagen Turan ka shpërthyer në flakë në ecje. Si pasojë, drejtuesi 37-vjeçar, Maridon Dhuli, ka pësuar djegie.
Në ato momente dramatike, në ndihmë të tij nxituan kalimtarë të rastit, mes të cilëve edhe Sokol Ahmetaj nga Saranda, i cili përdori xhupin e tij për të shuar flakët në trupin e të riut, në përpjekje për t’i shpëtuar jetën.
Maridon Dhuli u transportua fillimisht në urgjencën e Spitalit të Sarandës dhe më pas drejt Spitalit të Traumës në Tiranë, ku iu nënshtrua kujdesit të specializuar mjekësor. Fatkeqësisht, pavarësisht përpjekjeve për ta mbajtur në jetë, 37-vjeçari nuk arriti t’u mbijetojë plagëve të rënda, raporton SarandaWeb.
Pamjet tregojnë momentin kur shoferi largohet nga mjeti në flakë, ndërsa në trup ka djegie të shumta. Është e paqartë nëse ai është bllokuar në mjet, apo është djegur teksa ka tentuar të shuajë flakët.