24 Tetor, 2026

Pentagoni planifikon rrjet sekret spiunazhi ekonomik kundër Kinës

 Pentagoni planifikon rrjet sekret spiunazhi ekonomik kundër Kinës

Pentagoni po planifikon krijimin e një programi të ri spiunazhi të fshehtë, që do të përdorte agjentë amerikanë të infiltruar në sektorin privat për të mbledhur informacione ekonomike dhe teknologjike mbi Kinën dhe rivalët e tjerë të Shteteve të Bashkuara.

Sipas një investigimi të Washington Post, bazuar në dëshmitë e gjashtë personave të njohur me nismën, agjentët do të vepronin nën identitete biznesmenësh ose profesionistësh privatë, pa lidhje të dukshme me qeverinë amerikane.

Programi, ende në fazën e planifikimit, do të përbënte një komponent të fshehtë të strategjisë më të gjerë të administratës Trump për përdorimin e instrumenteve ekonomike kundër rivalëve strategjikë.

Një ish-drejtues i CIA-s në krye të projektit

Sipas gazetës, nisma mbikëqyret nga Tom Rakusan, veteran me 39 vite përvojë në CIA dhe aktualisht këshilltar i lartë i zëvendës sekretarit të Mbrojtjes, Steve Feinberg.

Rakusan ka mbajtur poste të larta në operacionet sekrete të CIA-s dhe ka drejtuar përgjigjen e agjencisë ndaj ndërhyrjes ruse në zgjedhjet presidenciale amerikane të vitit 2016.

Pas largimit nga CIA, ai iu bashkua kompanisë së investimeve Cerberus Capital Management, të bashkëthemeluar nga Feinberg, përpara se të kalonte në Pentagon në vitin 2025.

Nuk është vendosur ende nëse programi do të funksionojë si një strukturë e pavarur apo si zgjerim i kapaciteteve ekzistuese të inteligjencës ushtarake.

Megjithatë, Pentagoni e mohoi raportimin.

“Kjo pyetje duket se mbështetet në informacione që thjesht nuk janë të vërteta”, deklaroi zëvendës zëdhënësi Jacob Bliss për gazetën amerikane.

Nga tarifat tregtare te spiunazhi industrial

Administrata Trump e ka vendosur konkurrencën ekonomike në qendër të strategjisë së sigurisë kombëtare, përmes tarifave, kontrolleve të eksporteve dhe investimeve në teknologji e burime strategjike.

Në shtator, zëvendës drejtori i CIA-s, Michael Ellis, deklaroi se agjencia po zgjeronte aktivitetet e inteligjencës ndaj kompanive kineze në fushat e Inteligjencës Artificiale, bioteknologjisë dhe gjysmëpërçuesve të avancuar.

Paralelisht, Pentagoni ka krijuar një Njësi të Mbrojtjes Ekonomike, e cila ka mbështetur investime në minerale kritike dhe industri strategjike, përfshirë një angazhim prej 750 milionë dollarësh për sigurimin e një depozite mineralesh të rralla në Brazil.

Përplasje kompetencash me CIA-n

Plani i raportuar ka shkaktuar rezerva mes ish-zyrtarëve të CIA-s, të cilët e shohin si përpjekje të Pentagonit për të zgjeruar aktivitetin në një fushë tradicionalisht të dominuar nga agjencia civile e inteligjencës.

“Rakusan thjesht dëshiron të ndërtojë CIA-n e tij brenda Pentagonit”, tha një ish-zyrtar i lartë i agjencisë për Washington Post.

Operacionet nën mbulim jozyrtar konsiderohen veçanërisht të rrezikshme, pasi agjentët nuk gëzojnë imunitet diplomatik në rast arrestimi.

Sipas burimeve të gazetës, programi ngre gjithashtu pikëpyetje mbi bazën ligjore dhe mbikëqyrjen institucionale. Komisionet përkatëse të Kongresit nuk rezultojnë të jenë informuar për nismën.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *