24 Tetor, 2026

“Kërcënimi kryesor është kaosi” – Ilir Kulla: Socialistët duhet ta rrëzojnë Ramën nga brenda partisë. Bilanci i protestave është i tmerrshëm, nëse vazhdohet me këtë ritëm rrezikojmë…

 “Kërcënimi kryesor është kaosi” – Ilir Kulla: Socialistët duhet ta rrëzojnë Ramën nga brenda partisë. Bilanci i protestave është i tmerrshëm, nëse vazhdohet me këtë ritëm rrezikojmë…

Eksperti i sigurisë, Ilir Kulla, ka paralajmëruar për rrezikun e përshkallëzimit të tensioneve nga protestat, duke theksuar se qeveria nuk duhet ta nënvlerësojë pakënaqësinë qytetare duke u përqendruar te numri i pjesëmarrësve.

I ftuar në emisionin “Të PASHOQ”, në kanalin e YouTube të Pamfletit, Kulla deklaroi se problemi kryesor për kryeministrin Edi Rama nuk është masiviteti i protestave, por fryma e kundërshtimit që ato përfaqësojnë. Ai kritikoi edhe drejtuesit e Partisë Socialiste, duke u kërkuar të marrin përgjegjësi dhe të kundërshtojnë kryeministrin brenda strukturave të partisë.

“E zëmë se janë edhe 1% i një milion njerëzve që janë këtu. E zëmë se janë vetëm 1%. Çfarë do bësh? Do vrasësh 10 mijë veta? Apo do futësh në burg 10 mijë veta? Edhe në emër të kujt?”, u shpreh Kulla, duke përdorur pyetje retorike për të kundërshtuar një qasje represive ndaj protestuesve.

Eksperti i sigurisë theksoi se Partia Socialiste, si forcë politike që identifikohet me të majtën, duhet të jetë veçanërisht e ndjeshme ndaj problemeve sociale dhe kërkesave të qytetarëve.

“Duhet ndryshuar narrativa se këtë radhë kemi qeverisje jo si në të tjerat që kishim një parti të djathtë, kësaj radhe kemi në qeverisje një parti që i thotë vetes të majtë. Partia Socialiste. Dhe nëse ka ndonjë parti që do të duhet të merrte nisma sociale të vazhdueshme, do të ishte kjo”, deklaroi ai.

Ai argumentoi se edhe përfaqësuesit socialistë janë të vetëdijshëm për problemet që shqetësojnë qytetarët, pasi ato prekin edhe familjet e tyre. Në këtë kontekst, eksperti dha një paralajmërim për pasojat që mund të sjellë mungesa e dialogut dhe përshkallëzimi i përplasjes mes qeverisë dhe protestuesve.

“Kërcënimi kryesor që kemi është kaosi. Është shumë kollaj t’i tregosh muskujt një fëmije 15, 16 vjeçar”, deklaroi ai.

Kulla theksoi se kundërshtimi i kryeministrit duhet të vijë nga brenda Partisë Socialiste, përmes debatit dhe marrjes së përgjegjësive politike, dhe jo përmes një përmbysjeje të nxitur nga tensionet në rrugë.

“Në vend që të kërkojnë ta rrëzojnë Edi Ramën nëpërmjet grushtit të shtetit që vjen nga rruga, ata duhet ta kundërshtojnë brenda Edi Ramën, sepse po e kundërshtuan brenda, e mbrojnë Edi Ramën, se kanë qenë të gjithë bashkë”, u shpreh Kulla.

Pjesë nga intervista:

-Tani, kapen shumë në fakt me çështjen e numrave në protestë. A ka vend për t’u gjykuar masiviteti?

Ilir Kulla: S’ka, jo. Fryma… fryma, ta thashë. Ata nuk janë… se klasa në anën tjetër nuk do me bërë krahasime. Fryma… fryma është në protestë. Këtu s’janë…

-Po numrat…

Ilir Kulla: S’kanë rëndësi. Janë pak, janë pak ato tepërti që bëjnë. Problemin ta thashë pra. E zëmë se janë edhe 1% i një milion njerëzve që janë këtu. E zëmë se janë vetëm 1%. Çfarë do bësh? Do vrasësh 10 mijë veta? Apo do futësh në burg 10 mijë veta? Edhe në emër të kujt? Në emër të atyre 5%? Duhet ndryshuar narrativa se këtë radhë kemi qeverisje jo si në të tjerat që kishim një parti të djathtë, kësaj radhe kemi në qeverisje një parti që i thotë vetes të majtë. Partia Socialiste. Dhe nëse ka ndonjë parti që do të duhet të merrte nisma sociale të vazhdueshme, do të ishte kjo.

-E mirë, ka devijuar shumë nga programi ideologjik po…

Ilir Kulla: Tani… tani, unë ç’mund t’i them… këta njerëz që janë sot në qeveri dhe asnjë nga ata nuk e ka ditur adresën e Partisë Socialiste kur Partia Socialiste ishte në opozitë. Nëse ka hyrë ndonjëri nga ata të zyrave të Edi Ramës sa ka qenë në opozitë, unë e pres kokën. Sfidë kjo, a domethënë. Nga zëvendëskryeministri e poshtë. Dhe… dhe… ky është dhe problemi tjetër që ka Edi Rama sepse në qoftë se ti e ke parë në kamera, në media e të tjera e të tjera… një grup të rëndësishëm socialistësh të djeshëm po dalin dhe kundërshtojnë, ose flasin në heshtje. Kjo është dhe arsyeja pse ky grup parlamentar i ka kërkuar atyre angazhime e të tjera e të tjera. Po edhe ata e dinë se ç’është realiteti poshtë. Se edhe ata kanë fëmijë, edhe ata kanë nipër, edhe ata kanë ashtu… Kërcënimi kryesor që kemi është kaosi. Është shumë kollaj t’i tregosh muskujt një fëmije 15, 16 vjeçar…

-Nuk ka nga ata Partia Socialiste për të cilët thuhet i tha kështu kryeministrit në mbledhje. Nga ana tjetër meqënëse këta janë prindër e janë ngopur me këtë pushtetin a nuk ka asnjë zë aty që… përveç heshtjes a po themi dhe më shumë?

Ilir Kulla: Që të kesh, që të kesh atë gjë duhet të kesh bashkëfajësi. Sepse duhet të pranojmë një gjë, në qoftë se ne themi që këtë punë e ka bërë Edi Rama… ky Edi Rama nuk ka qenë vetëm kur e ka bërë. Ka qenë të gjithë aty. Dhe në qoftë se një palë e tyre është aty dhe pret që me zorr të bjeri Edi Rama sot se do bëhen ministra dhe kryeministra nesër, nuk kanë kuptuar asgjë as ata. Dhe në fakt, në vend që të kërkojnë ta rrëzojnë Edi Ramën nëpërmjet grushtit të shtetit që vjen nga rruga, ata duhet ta kundërshtojnë brenda Edi Ramën, sepse po e kundërshtuan brenda, e mbrojnë Edi Ramën, se kanë qenë të gjithë bashkë. Që është bërë gjithë kjo katrahurë.

-E gjithë bashkë po one man show ka qenë kjo…

Ilir Kulla: Dakord, po të gjithë bashkë kanë qenë. Vetë i kanë ngritur duart. Kur vendosën të shkrijnë 15 bashki para dy javësh… ishin të gjithë bashkë. Duke mos harruar që për shembull…

Ilir Kulla: Bilanci i protestave është i tmerrshëm, nëse vazhdohet me këtë ritëm rrezikojmë luftë civile

Eksperti i sigurisë, Ilir Kulla, gjatë një interviste në podkastin “Të Pashoq” të “Pamfletit”, ka bërë një analizë të situatës së krijuar nga protestat, duke paralajmëruar për pasojat që mund të sjellë vijimi i tensioneve.

Kulla e cilësoi bilancin e ditëve të para si tepër negativ, ndërsa theksoi se situata ka tërhequr edhe vëmendjen e mediave ndërkombëtare. Sipas tij, dëmet në infrastrukturë, objektet e djegura dhe klima e konfliktit kanë krijuar një atmosferë pasigurie dhe paniku.

Ai paralajmëroi se, nëse protestat dhe përplasjet vazhdojnë me të njëjtin intensitet për disa muaj, vendi mund të përballet me një situatë të ngjashme me luftën civile.

Eksperti kritikoi gjithashtu mënyrën se si autoritetet e menaxhuan protestën fillestare, duke argumentuar se përdorimi i Forcave Speciale ndikoi në zgjerimin e saj, në vend që të sillte qetësimin e situatës.

Pyetje: Një analizë të shkurtër mbi bilancin e nëntë ditëve.

Ilir Kulla: Është i tmerrshëm.

Pyetje: Si?

Ilir Kulla: I tmerrshëm është. Praktikisht, përveç efektit mediatik që të gjitha mediat e botës më kanë marrë, deri nga Indonezia më kanë marrë për të pyetur çfarë ndodh e të tjera. Rrugët e tjera anash janë të gjitha pa semaforë, objektet e djegura janë boshatisur e të tjera dhe duket sikur ka një klimë konflikti dhe paniku, e cila vazhdon. Kështu që është i tmerrshëm.

Pyetje: Vetëm është i tmerrshëm, kaq. Ok, atëherë do të bëj pyetje të tjera që…

Ilir Kulla: Domethënë, bilanci nuk është aspak pozitiv dhe aspak premtues, sepse nëse do të jetë ky ritëm i këtyre nëntë ditëve të para, dhjetë ditëve, sepse në fakt jemi në ditën e dhjetë, imagjino të jetë kështu për disa muaj me radhë, ne jemi praktikisht në luftë civile.

Tani, në qoftë se ju mendoni që unë do të them se s’është i tmerrshëm, s’është i tmerrshëm. Sigurisht që ka pasur mundësi që kjo gjë të evitohej. Kanë pasur mundësi që kryeministri ato karriget që ka vënë sot, t’i vinte që në fillim të majit atje, në fillim të qershorit atje te sheshi.

Por pasi u tallën, u nëpërkëmbën, u thanë jo fillojnë pushimet, jo Botërori, jo janë 5, jo janë 7, jo janë 12 e të tjera, vendosën t’i përgjigjen një proteste relativisht të vogël para 10 ditësh te Ministria e Arsimit me Forcat Speciale.

Dhe Forcat Speciale e bënë punën e tyre, por efekti i Forcave Speciale dhe i policisë më tej ishte që, në vend që ta shuanin dhe ta pakësonin apo t’i jepnin fund protestës, e bënë që protesta të zgjerohej, të zgjerohej në gjithë Shqipërinë dhe për më tepër imazhi i saj të jetë jo vetëm që është një protestë e madhe.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *