Rama sulmon analistët: Nga inati dhe zilia që kanë për mua, po nxisin dhunën
Kryeministri Edi Rama ka sulmuar ashpër analistët dhe opinionistët që, sipas tij, po e trajtojnë dhunën e ditëve të fundit si një instrument politik kundër qeverisë.
Duke folur për presionin që po ushtrohet ndaj Policisë dhe institucioneve, Rama tha se problemi nuk vjen vetëm nga rruga, por edhe nga një pjesë e figurave publike që komentojnë çdo mbrëmje zhvillimet në studio televizive.
“Nuk është presioni i rrugës i vetmi dhe as më i keqi.
Më i keqi është ai i atyre të ashtuquajturve intelektualë dhe analistë, opinionistë, që çdo mbrëmje bëjnë bilancin e dhunës dhe që inatet, mllefet, zilite, paaftësitë, dështimin e tyre e ngushëllojnë me sa policë sakatohen, me sa institucione digjen dhe fërkojnë duart sepse mendojnë se i erdhi fundi Edi Ramës dhe qeverisë”, tha Rama.
Ai sulmoi dhe disa media.
“Edhe për gropën e madhe të fshehjes së të ardhurave të shtetit, News24, pronari i së cilës duhet të jetë përpara drejtësisë dhe për të cilin janë kapicë dosjet për evazion fiskal me miliona e miliona euro, dhe të cilit Prokuroria e Tiranës i ka dhënë imunitet, apo për lavatriçen e parave të zeza, Syri-n, burimet e propagandës më të shëmtuar kundër Policisë së Shtetit.
Si do t’i dorëzohet shteti, si do t’i dorëzohet qeveria, si do t’i dorëzohet Parlamenti, si do t’i dorëzohet Shqipëria këtij vulgariteti, kësaj të keqeje, këtyre që qajnë për studentët, këtyre që duan arsim më të financuar dhe që të tërë…
Më saktë, ndjesë për futjen e të gjithëve në një thes, se s’janë të gjithë në një thes, por shumica e tyre marrin paratë nën dorë, grabisin pensionet, nuk deklarojnë të ardhurat, sepse janë të ardhura nga paratë e zeza për të bërë analiza dhe deklarojnë sikur janë punonjës në fason, dhe pastaj u qajnë hallin punonjësve në fason.
Ju qajnë hallin pensionistëve, duan më shumë për pensionistët dhe nuk kanë zemër që të kontribuojnë të paktën me tatimin mbi pagën e tyre të vërtetë në të zezë“, tha Rama.