Një kujtim me Ed dhe me Ramë (dhe si u prish ai me mikun e vet të ngushtë, Ardian Klosi)
Nga Ardian Vehbiu
Edi Ramën për herë të fundit e kam takuar një pasdite maji të vitit 2022, gjatë një aktiviteti kushtuar publicistikës së Ardian Klosi, të organizuar në korridorin e Bibliotekës Kombëtare. Më kish ftuar drejtori i atëhershëm, Piro Misha, të thoja edhe unë dy fjalë. Kishin hapur edhe një ekspozitë të vogël te salla përbri, me disa artikuj dhe libra të Danit, të ekspozuar në stenda xhami. Mbaj mend që bënte vapë, ajo vapa e pluhurt e Tiranës në maj.
Kish ardhur ministrja e Kulturës, Elva Margariti – që më habiti që ishte aq e gjatë, shenjë autoriteti implicit. Të gjithë prisnim për kryeministrin, që më në fund u shfaq edhe ai, po aq i gjatë, me truprojën përkatëse. U ndezën dritat dhe kamerat, folën ata që kishin për të folur, thashë edhe unë diçka, në fakt nga një material që e kisha të përgatitur në letër, shumë kritik ndaj politikave kulturore të qeverisë, duke i vënë këto përballë gjërave që donte të realizonte Dani, por nuk arriti.
Një e njohura ime edhe ajo e pranishme në korridor, më tha pastaj se, gjatë kohës që unë flisja, Margariti ishte kthyer nga Rama dhe e kish pyetur: “Po këtë kush e ka ftuar?”. Mbase thjesht donte të merrte vesh se ç’bëja aty, mbase nuk po i gëlltiste dot kritikat prej meje. Me atë ministre nuk kam pasur kurrë njohje as kontakte; angazhimi i saj në punët e kulturës më ishte dukur tejet i shpëlarë dhe modest dhe për këtë kishim shkruar disa herë, unë dhe të tjerë, në “Peizazhet”.
Ishte një nga ato figura që Rama kish filluar t’i komandonte në poste kyçe, duke i shkulur nga anonimati – dhe tek i njëjti anonimat për t’i zhytur sërish, pasi ta kishin ezauruar detyrën e tyre si place-holders. Nga ato figura që thjesht përfaqësonin impulsivitetin e një kreu të ekzekutivit, i cili gënjente veten se po qeveriste duke emëruar e çemëruar njerëz të ndryshëm në krye të punëve.
Pyetja e Margaritit – po e marr këtu për të mirëqenë informacionin që më dha kolegia – më konfirmoi edhe një dyshim tjetër: që pushteti, në fazën e vet të post-konsolidimit (dhe të pre-fermentimit), kish filluar ta kontrollonte fjalën publike jo nëpërmjet censurës, problematike për t’u kryer në ligjërimin e folur; por duke i përzgjedhur zërat që do të flasin dhe duke ua mohuar mikrofonin zërave që nuk mirëpriten të flasin.
Kështu mbase duhej kuptuar pyetja e Margaritit: “Po këtë kush e ka ftuar?”. Po këtij kush ia ka dhënë mikrofonin? Kush e ka qasur në klubin ekskluziv të atyre që prodhojnë ligjërimin publik?
Ngaqë nuk jetoj në Tiranë, e kam pasur të vështirë ta kuptoj që eventet – përfshi edhe ato kulturore – ngrenë peshë jo për çfarë thuhet aty, por për personat që janë FTUAR të flasin. Zgjedhja e këtyre bëhet sipas një procesi arbitrar, me vendim ekstatik të organizatorëve që shpesh nuk janë veçse aparatçikë të lavdishëm. Mediat këtë e kanë kuptuar kaq mirë, saqë prej kohësh nuk raportojnë më se çfarë u tha në këtë apo atë aktivitet – por vetëm japin emrat e atyre që folën, të shoqëruar me fotot përkatëse. Kësisoj, aktivitetet shërbejnë si steroide për tonizimin e muskujve të elitave.
Po këtë kush e ka ftuar? Pyetja e Margaritit shpërfaqte një të vërtetë të hidhur – pushteti kulturor i ishte hequr fjalës publike, për t’iu dorëzuar atij që vendoste se kush do ta thoshte fjalën publike. Në rastin tim, që po thoja gjëra të pashijshme për punën dhe politikat kulturore të ministres dhe të Ramës vetë, përgjegjësia binte mbi atë që më kish ftuar (Piro Mishën).
Njëlloj si ata artistë “hacks” e të patalentuar, që përfitojnë shuma marramendëse nga institucionet falë aftësisë së palodhur për të lëpirë zonat e duhura erogjene të shtetit, edhe shansi për të folur në publik nga platforma e një institucioni kombëtar, aq më tepër në prani të Ramës vetë, nuk ishte veçse një grant që, në rastin tim, kish shkuar dëm.
Atë ditë prisnim që edhe Rama të thoshte dy fjalë, por do të ketë qenë me dhimbje fyti dhe ashtu e pa të udhës të mos thotë asgjë. Meqë eventi zhvillohej në Bibliotekën Kombëtare, tempull i librit, shpresoja që ai të thoshte diçka, për kohën kur, bashkë me Dan Klosin, po sillnin një frymë absolutisht të re në publicistikën shqip, duke iu kthyer frymës dhe stilemave të Nolit, të Konicës dhe të penave të tjera djegëse të traditës.
Vepra e tyre e përbashkët, “Refleksione”, edhe sot do të lexohej si manifest i avangardizmit, po të mos ish komprometuar nga kontrasti mes emrit të Edit në kopertinë dhe veprës së kryeministrit Rama, si shef i ekzekutivit. Kjo ndarje mes emrit dhe mbiemrit, mes Edit dhe Ramës, rimerrte dhe pasqyronte ndarjen – aq dramatike – mes Edi Ramës së viteve 1990 dhe këtij të tanishmit.
Që gjatë viteve që Edi – po e quaj kështu – ishte ende kryebashkiak, gjithnjë mendoja se miku i tij Dan Klosi dhe shoku i armëve në përmbysjet e dimrit 1990-1991 do të ndikonte, për mirë, në vendimet e tij politike, duke ia orientuar drejt qoftë edhe vetëm intuitën. Janë me fat ata njerëz në poste të larta që gjejnë dhe mbajnë këshilltarët e duhur, të cilëve u besojnë pa rezerva.
Nuk e kisha vënë re ftohjen mes tyre, as distancimin, dora-dorës që Rama u afrohej majave të pushtetit. Mbetem edhe sot i bindur se, po të kish mbijetuar ajo miqësi, punët e qeverive të Ramës do të kishin shkuar ndryshe dhe Rama i fillimviteve 2020 do të kish ruajtur ende diçka nga Edi i dikurshëm – qoftë edhe vetëm atë antikonformizmin dhe shpirtin rebel, me të cilin ishte shquar qëmoti.
Ka shumëçka për t’u rrëfyer, nga kjo histori; por nuk e bëj dot unë, sepse falë distancës, unë i kam njohur të dy “in their best behavior”. Vetëm mund ta marr me mend se ajo pyetja fatale, “po këtë kush e ka ftuar”, do të jetë bërë ndonjëherë, para vdekjes së Danit, edhe për Danin vetë; që mbase kish filluar të shndërrohej në një miqësi të padëshiruar, për aspirantin kryeministër. Por nuk di asgjë me siguri, dhe nuk dua të di. “Ignorance is bliss”, thotë inglizi, dhe nuk e ka keq.
Fjala ime në aktivitetin kushtuar publicistikës së Klosit mund edhe të injorohej me lehtësi të madhe – duke u lënë e paintegruar me proceset kulturore të momentit. Më shumë kuriozitet do të ketë ngjallur heshtja e Ramës, por heshtja fton ajo vetë interpretime pa cak.