22 Tetor, 2026

Partia apo fëmija? Apeli i inxhinierit të njohur për pensionistët që mbështesin Ramën

 Partia apo fëmija? Apeli i inxhinierit të njohur për pensionistët që mbështesin Ramën

Nga Orgen Peci

Në reagimet e shumta që qarkullojnë çdo ditë në rrjetet sociale, një video e një inxhinieri të njohur ka hapur së fundmi një diskutim të fortë mbi bazën elektorale që mban ende në këmbë pushtetin e Ramës.

Mesazhi i tij u drejtohet drejtpërdrejt pensionistëve, shtresës më të varfër, por njëkohësisht më besnike në votime.

​Inxhinieri prek një nga paradokset më të mëdha të realitetit shqiptar. Si ka mundësi që kjo kategori sociale, e cila vuan më së shumti nga çmimet e larta, kostoja e medikamenteve dhe pamjaftueshmëria e pensioneve, vazhdon të mbetet karburanti kryesor elektoral i sistemit që i shtyp?

Pensionistët janë shndërruar në viktimën perfekte të një teatri politiko-imagjinar. Në qendër të këtij spektakli vendoset figura e Sali Berishës si një “gogol” i përhershëm për të mbajtur të moshuarit nën trysninë e frikës. Por prapa kësaj melodrame të “rivalitetit” ditor fshihet një realitet krejt tjetër. Rama mbetet furnitori kryesor i Berishës me para publike. Ndërsa ditën aktron si kundërshtar i betuar, natë për natë pushteti ekonomik ndahet mes të njëjtave duar.

Përmes lejeve të ndërtimit, tenderave dhe oligarkëve të përbashkët, të dyja palët bashkëpunojnë, duke ruajtur status-quo-në që u shërben interesave të xhepave të tyre me llogari në Qipro dhe vila nga periferitë e Tiranës, në gjirin e Lalzit, deri në Dhërmi e gjetiu.

Kjo simbiozë gjakpirëse ushqehet nga sakrifica e përditshme e më të dobëtve.

Ndërsa pensionistët numërojnë qindarkat për të mbyllur muajin dhe votojnë me frikën e rikthimit të së shkuarës, paratë e taksave të tyre përfundojnë në xhepat e të njëjtit bllok politik e ekonomik. Ndaj mesazhi i inxhinierit është një apel i drejtpërdrejtë për të parë përtej llomotitjeve zyrtare.

Mbetet për t’u parë nëse reagime të tilla do të arrijnë të çajnë rrethimin e propagandës dhe të ndërgjegjësojnë këtë shtresë, apo nëse teatri “rivalë ditën, ortakë natën” do të vazhdojë të funksionojë si mekanizmi kryesor i mbajtjes së pushtetit o në njërën dorë, o në tjetrën.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *