“Dua që Rama ta gjejë xixë të pastër” – Lali Eri merr leje nga burgu të pastrojë Tiranën, pas rrëmujës nga studentët
Në një shembull të jashtëzakonshëm të përkushtimit ndaj punës publike, Lali ka marrë sot një leje të veçantë nga institucioni i ekzekutimit të vendimeve penale me një mision absolutisht urgjent: të fshijë personalisht trotuarin përpara se të mbërrijë kryeministri Rama për inspektimin e pasojave të protestës së një dite më parë.
I veshur me kostumin e tij zyrtar me kravatë, sepse etiketa e pastrimit nuk duhet sakrifikuar kurrë, Lali u pa sot herët në mëngjes duke mbajtur me krenari një fshesë me bisht të kuq dhe një kaci me dorezë të gjatë.
”Nuk mund të lejoja që Lideri Suprem të gjejë ndnjë fije pluhuri apo ndonjë fletëpalosje protestuesish rrotull,” u shpreh ai me buzëqeshjen e tij karakteristike përpara se të kryente një lëvizje energjike me fshesë.
“Disa njerëz kalojnë kohën e lirë në burg duke lexuar libra, por unë preferoj të bëj punë komunitare në terren.
Kjo është mënyra ime për të treguar se jam ende Lali i aksioneve të pastrimit.”
Sipas burimeve konfidenciale, leja dy-orëshe përfshinte kushtin e rreptë që Lali të mos prekë asnjë projekt ndërtimi apo tender gjatë kohës që mban fshesën në dorë, për të shmangur çdo keqkuptim të mëtejshëm ligjor.
Rojet e shoqërimit konfirmuan se pastrimi shkoi mirë dhe se pas përfundimit të fshirjes, sheshi mbeti i kristaltë, ndërsa fshesa u dorëzua e pastër pranë gardianëve. (Ministria e së Vërtetës)