“Jemi me studentët” – Inva Mula e Gëzim Nika në mbështetje të protestës: Në zërat tuaj, rreh zemra dhe e ardhmja e Shqipërisë!
Artistët e mëdhenj të Shqipërisë, Inva Mula dhe Gëzim Nika, kanë shprehur hapur mbështetjen në krah të studentëve, duke kërkuar nga qeveria që të dëgjojë zërin e tyre dhe të ndalojë menjëherë dhunën joproporcionale.
“Asgjë nuk është më e dhimbshme sesa një brez i ri që humbet shpresën tek e ardhmja. Të rinjtë tanë meritojnë të ëndërrojnë, të besojnë dhe të dëgjohen, sepse në ato zëra rreh zemra dhe e ardhmja e Shqipërisë”, shkruan sopranoja shqiptare.
Edhe Gëzim Nika, një ndër këngëtarët më të dashur të muzikës popullore shqiptare, me banim në Amerikë, kujton vitin e mbrapsht 1997 kur thotë se është larguar nga Shqipëria mes plumbave, dhe shpreh hapur mbështetjen për revoltën e studentëve.
“Jam me rininë e Shqipnisë! Kam ik me lot në sy e zemër të thyme nga Shqipëria në 97-ën kur plumbat vërshonin mbi kryet e njerëzit vriteshin rrugëve. Po sot ma shumë se kurrë më dhemb shpirti dhe nuk duroj dot kur shoh vendin tem në këtë situatë, ku rinia rrihen e masakrohen. I kam këndu Shqipnisë tan jetën me zemër e kam besu se një ditë ky vend i bekum prej Zotit do arrinte me shndrit e me lulzu.
Por na që dikur e rrëzum komunizmin që deshi me e shujt krejt familjen teme, sot mbas 30 vitesh po shohim po prap dhunë e shkatërrim. Dhe kjo asht nji dhimbje e madhe që po përjetoj, jo vetëm si artist po si njeri ma s’pari e si prind.
Jam me studentat e me gjithë shqiptarët që e duan kët vend. Politika duhet ti nigjojë studentat e protestuesit e jo me i shpërfill e me i dhunu! I lutem Zotit të mos lëndohet askush dhe të mos derdhet asnjë pikë gjak tek bijtë e Shqipnisë e ta gëzojë kët vend e ardhmja, rinia me të gjithë ne bashkë”, shkruan Gëzim Nika.